Aktuale
MINTI ndan mbi 2.6 milionë euro për Parkun Industrial në Lipjan
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka nënshkruar një marrëveshje me kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, për mbështetjen e projektit dhe vazhdimin e punimeve në Parkun Industrial në Lipjan.
Sipas saj, marrëveshja parasheh mbështetje financiare në vlerë prej 2,672,554.61 euro, të dedikuara për ndërtimin e infrastrukturës fizike të parkut në kuadër të fazës së pestë të projektit. Ajo e cilësoi këtë si një hap të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për bizneset dhe qytetarët e kësaj komune, si dhe për avancimin e sektorit industrial në vend.
Ministrja bëri të ditur se gjatë një vizite të mëhershme në Lipjan ka parë potencialin që ofron ky park, i cili shtrihet në një hapësirë prej 56 hektarësh dhe tashmë përfshin biznese aktive, përfshirë edhe një që eksporton produktet e tij në tregun amerikan.
Ajo shtoi se punimet në park do të vazhdojnë me intensitet, ndërsa angazhimi i ministrisë mbetet që kjo hapësirë të shndërrohet në një qendër të rëndësishme industriale.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM