Aktuale
Tahiri: S’ka pasur konsultim serioz për presidentin, gjithçka është për konsum publik
Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka folur rreth çështjes së presidentit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme.
Para fillimit të seancës, deputeti tha se asnjëherë nuk ka pasur konsultim serioz sa i përket shefit të shtetit, dhe sipas tij, gjithçka e dëgjuar nga VV-ja është bërë për konsum publik.
“Asnjëherë prej kur ka filluar diskutimi për president nuk ka pasur konsultim serioz, nuk ka pasur qëllim në ardhje të një presidenti i cili ka tipare unifikuese dhe konsesuale. Çka do që dëgjoni është vetëm për konsum publik, për një lajm dhe lojë e hedhjes së fajit, dhe faji dihet ku është. VV i ka 66 deputetë, për president nuk i ka. Kjo na çon në një situatë të thjeshtë, është situata jo më e mirë për Kosovën, zgjedhjet”, theksoi Tahiri.
Ai po ashtu bëri me dije se AAK-ja nuk merr pjesë në seancë ku propozohen dy kandidatë nga një parti.
“Ky shtet nuk është i një partie, por i demokracisë. Nuk e di çka do të ndodhë, ne nuk kemi qenë pjesë e diskutimeve”, shtoi Tahiri.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM