Kosovë
“Pa fjalime, pa lule, pa ritual fetar…” – nipi publikon letrën me amanetin e Rexhep Qosjes
Valjet Rexhepi, nipi i shkrimtarit të ndjerë Rexhep Qosja, sot ka publikuar një letër përmes së cilës paraqitet amaneti i fundit i akademikut, e shkruar më 30 prill 2016 në Prishtinë.
Dokumenti, i titulluar “Nipit tim Valjetit”, përmban udhëzime të qarta të Qosjes për jetën dhe varrosjen e tij.
Qosja, ndërroi jetë më 23 prill 2026, ndërsa në atë letër ka paraqitur edhe reflektimet personale mbi veprën, bindjet dhe raportin e tij me Kosovën.
Rexhep Qosja në letër kishte shprehur dëshirën që të varroset pa ritual fetar dhe pa praninë e autoriteteve zyrtare.
“Dua të jam i varrosur pa ritual fetar…. varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi… pa fjalime, pa media, pa lule”, thuhet në amanet.
Në shkrimin e tij, tutje Qosja e paraqet jetën e tij si të kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të shqiptarëve.
Lexoni letrën e plotë të Qosjes, shkruar në vitin 2016:
NIPIT TIM VALJETIT
I CILI U KUJDES PËR JETËN TIME DHE PREJ TË CILIT
KËRKOJ TË KUJDESET EDHE PËR VARROSJEN TIME
Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.
Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.
Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi.
Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.
Vdes i qetë.
Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.
Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat.
Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.
Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.
Gjyshi yt, Valjet
Rexhep Qosja
(nënshkrimi)
Prishtinë, 30.4.2016

BASHKOHUNI NË DISKUTIM