Aktuale
Lushaku: Kurti po prodhon kriza për të qeverisur i pambikëqyrur, tipike autoritare
Shefja e deputetëve të LDK-së, Jehona Lushaku ka përsëritur qëndrimin e subjektit të saj se përgjegjësia për zgjidhjen e çështjes së presidentit i takon partisë më të madhe.
Para nisjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, ajo ka thënë se Presidenca e Qeveria nuk duhet t’i takojë një partie të vetme.
“Po të kishim 66 vota në Kuvendin e Kosovës kjo çështje do të zgjidhej. Nuk mund të kërkohet nga partitë që nuk i kanë numrat të propozojnë emra për president. Është vërtetë fatkeqësi që një njeri me kaq shumë fuqi dhe legjitimitet nuk mund të prodhojë zgjidhje dhe pret nga partitë opozitare që t’ia përkrahin një kandidat partiak për president. Vet Kurti e ka thënë që nuk do të kemi një kandidat me librezë partiake dhe vet ai e propozon Konjufcën, që është me librezë partie”, ka thënë Lushaku.
Ajo ka thënë Kurti me qëllim po prodhon kriza për të qeverisur i vetëm dhe i pambikëqyrur.
“Është tepër fatkeqësi që qytetarët i besojnë dikujt me një masë kaq të madhe dhe në anën tjetër nuk kemi as qeverisje të mirë e as zgjidhje të problemeve kruciale, por në zëvendësim të saj VV po na jep një krizë të re politike, ku qytetarët do të lihen të vetëm e kryeministri do të qeveris i vetëm, i pambikëqyrur, tipike për një sistem autoritar, ku një kryeministër dëshiron të prodhojë më shumë kriza i pambikëqyrur, por edhe tendenca për kapjen e institucioneve”, ka deklaruar ajo.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM