Aktuale
BE refuzon propozimin për pezullim të marrëveshjes së asociimit me Izraelin
BE-ja mbetet e ndarë rreth vendosjes së sanksioneve ndaj Izraelit, pavarësisht kritikave nga disa shtete anëtare për gjendjen në Gazë dhe dhunën ndaj palestinezëve nga kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor.
Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka thënë se propozimet për një pezullim të pjesshëm të marrëveshjes së asociimit BE-Izrael mbeten në tryezë, por se ato kërkojnë ndryshim qëndrimesh nga shtetet anëtare për të hyrë në fuqi.
Duke folur pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së të martën, ajo u ka thënë gazetarëve se një mundësi e tillë nuk ishte parë gjatë mbledhjes, por se diskutimet do të vazhdojnë.
Kallas ka hedhur poshtë kritikat se qasja e bllokut ndaj Izraelit përbën standard të dyfishtë, një akuzë e ngritur nga disa zyrtarë të BE-së, ndërsa ka ngritur gjithashtu dyshime rreth ndikimit të sanksioneve.
Veçmas, ajo ka thënë se BE-ja do të shtonte kufizime të gjera ndaj Iranit, duke miratuar sanksione të reja ndaj iranianëve të përfshirë në kufizimin e lundrimit të lirë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Në takimin e së martës, Irlanda, Spanja dhe Sllovenia i bënë presion Kallasit që të rihapë mundësinë e pezullimit të pjesshëm të marrëveshjes së asociimit të Izraelit me BE-në, e propozuar vjeshtën e kaluar, por që nuk ka siguruar mbështetjen e shumicës.
Të tre vendet, historikisht mbrojtëse të të drejtave palestineze, i shkruan Kallasit javën e kaluar, duke përshkruar kushtet “e padurueshme” në Gazë, me shkelje të vazhdueshme të armëpushimit, hyrje të pamjaftueshme të ndihmës humanitare dhe dhunë në rritje ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, një nga kritikët më të zëshëm evropianë të luftës së Izraelit në Gazë, ka bërë thirrje fundjavën e kaluar që BE-ja të përfundojë marrëveshjen e saj të asociimit me Izraelin.
Megjithatë, Gjermania ka deklaruar se propozimi për pezullim të marrëveshjes është i papërshtatshëm. Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, ka thënë se duhet të vazhdohet me dialog kritik dhe konstruktiv me Izraelin.
Marrëveshja e asociimit kërkon miratim unanim të 27 shteteve anëtare për t’u revokuar, ndërsa një pezullim i pjesshëm mund të miratohet me shumicë prej 15 shtetesh që përfaqësojnë 65% të popullsisë së BE-së.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM