Aktuale
Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare organizon Konferencën Ekonomike B2B në Prishtinë – Bizneset shqiptare bashkohen për mundësi të reja
Prishtina do të jetë sërish qendra e takimeve të rëndësishme ekonomike, pasi më 15 dhe 16 maj 2026 organizohet Konferenca Ekonomike B2B – një nga ngjarjet më të mëdha të biznesit shqiptar.
Rrjeti Global i Bizneseve Shqiptare fton kompanitë dhe sipërmarrësit të bëhen pjesë e këtij organizimi, i cili çdo vit po sjell më shumë bashkëpunime, investime dhe lidhje të reja ndërmjet bizneseve nga diaspora dhe trojet shqiptare.
Gjatë dy ditëve të konferencës, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të zhvillojnë takime të strukturuara B2B, të vizitojnë panairin e hapur për publikun, si dhe të ndjekin panele diskutimi të fokusuara në zhvillimin ekonomik. Po ashtu, janë planifikuar takime me përfaqësues të komunave për të diskutuar mundësi konkrete investimi dhe për të forcuar bashkëpunimin institucional.
Mbrëmja e 15 majit do të kurorëzohet me një darkë solemne, e cila do të shërbejë si hapësirë për networking dhe krijimin e partneriteteve të reja. Ndërsa më 16 maj, pjesëmarrësit do të realizojnë vizita në terren te prodhues vendor, duke mundësuar shkëmbim përvojash dhe konkretizim të bashkëpunimeve.
Ky event pritet të mbledhë qindra biznese shqiptare nga e gjithë bota, duke e kthyer Prishtinën në një pikë kyçe të lidhjes së kapitalit, ideve dhe mundësive për zhvillim ekonomik. /Ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM