Aktuale
Inflacioni 6,7%, Rafuna : Ulja e TVSH-së për derivate ishte e domosdoshme, por nuk u mor parasysh
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka paralajmëruar se rritja e inflacionit po ndikon drejtpërdrejt në përkeqësimin e standardit jetësor të qytetarëve, duke i detyruar ata të paguajnë më shumë dhe të konsumojnë më pak.
Ai theksoi se ndërhyrjet direkte në çmime nga ana e Qeverisë nuk janë zgjidhje dhe mund të kenë pasoja negative për ekonominë.
“Nuk është zgjidhje të stopohen çmimet dhe nuk duhet të bëhet kjo, është gjë e rrezikshme nëse qeveria vendos t’i ulë çmimet në mënyrë administrative”, u shpreh ai.
Sipas Rafunës, institucionet duhet të fokusohen në politika fiskale, administrative dhe monetare për të përballuar situatën ekonomike, si dhe të mbështesin prodhuesit vendorë.
“Qeveria duhet të lëvizë me politikat fiskale, me politikat administrative dhe me politika monetare, edhe pse nuk kemi monedhë tonën, duhet të ndihmojë prodhuesit kosovarë”, deklaroi ai.
Ai kritikoi edhe mungesën e reagimit në kohë nga ana e institucioneve, duke përmendur kërkesën e Odës Ekonomike për uljen e TVSH-së në derivate.
“Qeveria është vonuar shumë. Ne si Odë Ekonomike para një muaji kemi kërkuar, sidomos te pjesa e derivateve, që të ndërhyhet me uljen e TVSH-së, por kjo nuk është marrë për bazë. Deri tani nuk ka masa konkrete, ndërsa çmimi i derivateve e rrit normalisht inflacionin dhe çmimet e produkteve që i konsumojmë”, theksoi Rafuna.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM