Kosovë
Avancimi i bashkëpunimit ekonomik dhe thellimi i raporteve, Haxhiu pret në takimin ministrin belg
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, priti sot në takim Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Belgjikës, Maxime Prévot.
Haxhiu e falënderoi Prévot për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Belgjika i ka dhënë Republikës së Kosovës ndër vite, si në periudhat vendimtare të historisë sonë, ashtu edhe në procesin e shtetndërtimit dhe konsolidimit ndërkombëtar të vendit.
Sipas njoftimit të Presidencës, në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Belgjikës, si dhe kontributi i rëndësishëm i mërgatës në Belgjikë në forcimin e lidhjeve ndërmjet dy vendeve.
“Bashkëbiseduesit diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit bilateral, me theks të veçantë në avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe krijimin e mundësive të reja për investim dhe partneritet ndërmjet dy shteteve”, thuhet në njoftim.
Haxhiu ritheksoi rëndësinë e avancimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si dhe përkushtimin e palëkundur të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO. /Ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM