Aktuale
12 ditë afat, Zogaj kërkon intensifikim të bisedimeve për presidentin
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Alban Zogaj tha se kjo parti është e interesuar që të gjejë zgjidhjen për presidentin e vendit.
Në një prononcim për Klankosova.tv, Zogaj tha se aktualisht nuk ka zhvillime të reja rreth kësaj çështje teksa potencoi se përveç takimit të javës së kaluar, LDK nuk ka pasur takime tjera me LVV për të gjetur emrin konsensual për presidentin e ri.
“Nuk ka pasur takime, përveç atij takimit që ka qenë javën e kaluar. Zhvillime të tjera nuk ka pasur, por pritet që këto ditë që kanë mbetur të ketë takime më intensive dhe qasje më serioze në këtë drejtim. Kështu që presim dhe jemi konstruktiv dhe të hapur për biseda gjatë këtyre ditëve”, tha fillimisht ai.
Zogaj tha se LDK mbetet konstruktive për të kaluar këtë “ngërç politik” duke qenë të hapur dhe konstruktiv për takime.
“Haziri ka mendu edhe për takimin e kaluar edhe për qasjen tonë. Pra, ne jemi konstruktiv, jemi të hapur, nuk i refuzojmë takimet dhe do të marrim pjesë në biseda për gjetjen e një zgjidhje të këtij ngërçi politik”.
Tutje ai tha se aktualisht nuk ka përafrime rreth gjetjes së emrit konsensual për president, teksa shtoi se Kuvendi i LDK-së i ka dhënë autorizimin e plotë kryetarit Abdixhiku për udhëheqje në këto negociata.
“Në këtë rast nuk mundem të them shumë, për arsye që ne i kemi dhënë autorizimet e plota kryetarit tonë që ai t’i udhëheq bisedat dhe negociatat. Kryetari i ka autorizimet e plota nga Kuvendi i LDK-së dhe ai është duke i udhëheq këto negociata. Në raste të caktuara ka edhe konfidencialitet andaj nuk ka tjetër çka të thuhet në këtë drejtim”, shtoi anëtari i Kryesisë së kësaj partie.
Zogaj deklaron që përderisa afati po afrohet duhet të ketë intensifikim të bisedimeve dhe qasje më serioze.
“Janë edhe 12 ditë deri në përmbylljen e afatit. Në këto 12 ditë duhet të intensifikohen bisedat dhe të kemi qasje shumë më serioze në këtë drejtim dhe mundet të arrihet një marrëveshje. Ndonjëherë marrëveshjet politike arrihen edhe në minutat e fundit kështu që ka kohë, por kjo kohë po shkon, po ecën koha”, vazhdoi Zogaj.
Në fund, kur deputeti është pyetur rreth mundësisë së LDK-ja do t’i bashkohej qeverisjes me Lëvizjen Vetëvendosje, ai u përgjigj: “Ne kemi thënë që ne jemi për opsionin e një presidenti konsensual dhe jemi po ashtu të hapur edhe për opsionin e marrëveshjes politike. Për të arritur marrëveshje politike duhet të bisedohet të ketë negociata dhe takime. Kështu që do të shohim cilat janë opsionet, fokusi i LDK-së është në zgjedhjen e presidentit, aty e kemi fokusin, kemi interesim shumë të madh që vendit t’i japim president dhe të gjendet zgjidhja për presidentin e vendit”.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM