Aktuale
Sinani: Serbia po përdor metoda moderne të spastrimit etnik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës
Kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, gjatë qëndrimit të saj në Tiranë për samitin e diasporës, ngriti shqetësimin për përkeqësimin e gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Ajo theksoi se po aplikohen forma të reja presioni, të cilat sipas saj po ndikojnë në largimin gradual të popullsisë nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.
Sinani u shpreh se shtypja dhe shkeljet sistematike janë intensifikuar, duke përmendur si faktorë kryesorë pasivizimin e adresave dhe vendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, që sipas saj po nxisin emigrimin.
Ajo gjithashtu theksoi se shqiptarët përballen me diskriminim në aspektin ekonomik dhe financiar, duke përmendur mungesën e investimeve, kufizimin e fondeve nga niveli qendror dhe vështirësitë për bizneset vendore dhe investitorët e huaj. Sipas saj, nga projektet infrastrukturore për të cilat komuna e Preshevës ka aplikuar, vetëm një pjesë shumë e vogël është realizuar.
Sinani vlerësoi mbështetjen e Kosovës dhe Shqipërisë në ndërkombëtarizimin e çështjes, por kërkoi më shumë koordinim dhe hapa konkretë për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në jug të Serbisë. Ajo përmendi ndihmën financiare dhe institucionale nga Kosova si një zhvillim pozitiv, duke sugjeruar që modele të ngjashme të ndiqen edhe nga Shqipëria dhe faktorë të tjerë.
Ajo shtoi se marrëveshjet e arritura ndër vite mes përfaqësuesve të Luginës dhe autoriteteve serbe nuk janë zbatuar, duke theksuar se gjendja aktuale është përkeqësuar krahasuar me dekadat e kaluara.
Në fund, Sinani bëri thirrje për unitet të faktorit politik shqiptar në prag të zhvillimeve politike në Serbi, me qëllim sigurimin e një përfaqësimi më të fortë institucional, ndërsa u shpreh skeptike për ndryshime të shpejta në qasjen e politikës serbe ndaj shqiptarëve. /Ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM