Aktuale
Vaksina kundër fruthit, ekspertët: Nuk ka asnjë lidhje me autizmin
Dezinformatat e kanë ulur vaksinimin kundër fruthit tek fëmijët. Kjo ka bërë që diku 5 mijë fëmijë në Kosovë të mos vaksinohen në kohë. Shpesh vaksina kundër fruthit është ndërlidhur me ndikimin në autizëm. Por, kjo u mohua nga infektologu Izet Sadiku.
Sadiku shpjegoi se nga kanë ardhur informacionet e gabuara.
“Në këtë çështje kanë ndikuar edhe rrjetet sociale ku janë të pakontrollueshme, ku secili mund të jap mendimet e veta. Kjo problematikë ka filluar në vitin 1998-të, ku një grup mjekësh ka konstatuar se ka lidhshmëri me autizmin, por që ka dal që është gabim hulumtimi dhe është tërhequr nga revista ai hulumtim dhe atij mjekut i është marrë licenca dhe ai kurrë s’ka punuar si mjek”, deklaroi ai.
I njëjtit mendim, që vaksina kundër fruthit nuk ndikon në autizëm ishte edhe profesori në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë, Ilir Alimehmeti.
“Në 98-tën kur doli ky studim i bërë me vetëm 12 fëmijë patjetër që ngriti flamurin e kuq dhe gjithë botën kërkimore e ngriti në alarm, sepse ne kur shohim diçka të tillë hidhemi për të bërë kërkimet përkatëse. Dhe shumë shpejt u vu re nga një studim i madh me 650 mijë fëmijë në Danimarkë që nuk kishte asnjë lidhje, u bë tjetër studim me 535 mijë fëmijë në Finlandë, nuk u gjet asnjë lidhje. U bë një tjetër me 100 mijë fëmijë në ShBA, nuk u gjet asnjë lidhje. Nëse vaksina për fruthin do të kishte qenë shkak për fruthin, siç po e shihni vaksinimi ka rënë ndër vite, dhe nëse vaksina do të ishte shkak i autizmit edhe autizmi do të kishte rënë”, theksoi profesori Alimehmeti.
E producentja e Programit të Mëngjesit në Klan Kosova Artiana Matoshi, ngriti alarmin për pasojën e mosvaksinimit.
“Në Bangladesh për një kohë të shkurtër kanë vdekur 100 fëmijë kanë vdekur nga fruthi si shkak i mosvaksinimit”, deklaroi Matoshi.
Ajo shtoi se mediat në Kosovë lidhur me këtë temë janë munduar që të mos hyjnë në teori konspirative, por që kjo u devijua nga rrjetet sociale.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM