Aktuale
Kurti në kazermën “Adem Jashari: Populli e ka UÇK-në e UÇK-ja e epopenë e saj
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Epopene e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në manifestimin që po zhvillohet në Kazermën “Adem Jashari”.
Në fjalën e tij, Kurti foli për rrjedhën e ngjarjeve që i paraprinë luftës çlirimtare dhe për rolin e familjes Jashari në rezistencën kundër regjimit serb.
Ai theksoi se nga fundi i vitit 1997, pas përballjeve të hapura me forcat serbe, Ushtria Çlirimtare e Kosovës u shpall publikisht më 28 nëntor, ndërsa lufta e armatosur në Kosovë po shndërrohej nga një mundësi e largët në një realitet të pashmangshëm.
Sipas Kurtit, sulmi i dytë i policisë serbe ndaj familjes Jashari në Prekaz, më 22 janar 1998, e bëri atë shënjestër të hapur të regjimit serb, ndërsa vendosmëria e familjes e rikonfirmoi qëndrueshmërinë e saj që nga rrethimi i parë në dhjetor të vitit 1991.
“Rezistenca e armatosur kundër shtetit kriminal serb ende shihej si një rrugë pa shpresë për sukses. Madje, deri edhe tre muaj pas daljes publike të UÇK-së dhe një muaj pas sulmit të dytë ndaj familjes Jashari, shumëkush besonte se lufta ishte e shmangshme”, u shpreh Kurti.
Ai shtoi se masakrat e 25 shkurtit 1998 në Likoshan dhe Qirez e zbuluan qartë projektin gjenocidal të Serbisë në Kosovë.
Sipas tij, rrethimi i tretë i Prekazit, pesë ditë më pas, shënoi momentin vendimtar.
“Rrethimi i tretë i Prekazit ishte kapërcim i plotë i kufirit mes rrugës së zgjidhjes paqësore diplomatike dhe rrugës së luftës e kryengritjes së armatosur çlirimtare”, deklaroi Kurti.
“Në historinë moderne të Kosovës Epopeja e UÇK paraqet traditën përmes së cilës i referohemi ngjarjes më totale dhe përcaktuese në rrugën e betejave të shqiptarëve për liri në Kosovës përgjatë shekullit XX-të. Populli e ka UÇK-në e UÇK-ja e epopenë e saj e cila është ngritur përreth rezistencës të armatosur dhe sakrificës së familjes Jashari 5 ,6 dhe 7 mars 1998 si një ngjarje shembullore e fuqisë së qëndresës të dalë nga guximi dhe gatishmëria për të sakrifikuar gjithçka për liri”, tha tutje Kurti.
Manifestimi për Epopene e UÇK-së po mbahet në Kazermën “Adem Jashari”, në prani të familjes Jashari, krerëve institucionalë, përfaqësuesve të FSK-së dhe familjarëve të dëshmorëve.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM