Aktuale
Kadrijaj në seancën solemne: Nën kullën e Prekazit u mbrojt nderi i një kombi
Deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, ka folur në seancën solemne për nder të 28-vjetorit të Epopeja e UÇK-së, duke përkujtuar sakrificën e familjes Jashari në Prekaz.
Kadrijaj nga foltorja e Kuvendit, tha se kjo ngjarje përbën një nga kapitujt më të lavdishëm dhe më të dhimbshëm të historisë kombëtare, duke theksuar qëndresën e familjes së komandantit legjendar Adem Jashari, raporton Klankosova.tv.
“Sot përkujtojmë me respekt dhe me përulësi një prej kapitujve më të lavdishëm dhe më të dhimbshëm të historisë sonë kombëtare, sakrificën e familjes Jashari. Ka familje që bëjnë histori, por ka familje që bëhen vetë histori, e tillë është familja e komandantit legjendar Adem Jashari. Në marsin e vitit 1998 në Prekaz u zhvillua një betejë mes frikës dhe lirisë, mes nënshtrimit dhe dinjitetit. Për tri ditë me radhë, më 5, 6 dhe 7 mars, familja Jashari qëndroi e pathyeshme përballë një makinerie të tërë ushtarake. Ata e dinin se çmimi ishte i lartë, e dinin se rreziku ishte i madh, por mbi të gjitha e dinin se liria kërkon këto sakrifica. 59 anëtarë të kësaj familjeje u flijuan, burra, gra e fëmijë. Ata nuk u tërhoqën, nuk u përkulën. Nën atë kullë të Prekazit u mbrojt nderi i një kombi dhe e drejta për të jetuar të lirë në tokën tonë”, tha Kadrijaj.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM