Aktuale
Stuhi e fuqishme bore në SHBA, anulohen mijëra fluturime
Një stuhi e madhe dimërore goditi të hënën bregun lindor të shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke sjellë reshje rekord bore, ndërprerje masive të energjisë elektrike dhe mijëra anulime fluturimesh.
Në Rhode Island, stuhia u cilësua si më e madhja në histori.
Kryeqyteti Providence regjistroi 91 cm borë, duke thyer rekordin e vitit 1978. Autoritetet vendosën ndalim qarkullimi për udhëtimet jo thelbësore edhe në Connecticut, ndërsa guvernatorja e Massachusettsit, Maura Healey, paralajmëroi për kushte “jashtëzakonisht të rrezikshme”.
Rreth 300 mijë abonentë në Massachusetts ishin pa drita, përfshirë 85% të konsumatorëve në qarkun Barnstable.
Stuhia shkaktoi kaos edhe në trafikun ajror. Sipas FlightAware, mbi 5,700 fluturime u anuluan të hënën.
Aeroportet kryesore si LaGuardia Airport, John F. Kennedy International Airport, Logan International Airport dhe Newark Liberty International Airport pezulluan mbi 90% të nisjeve. Parashikohet që edhe të martën të anulohen mbi 2,000 fluturime të tjera.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM