Aktuale
Trump udhëzon qeverinë amerikane ta përgatisë publikimin e dosjeve për alienët dhe UFO-t
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se do t’u japë udhëzim agjencive amerikane, përfshirë Departamentin e Mbrojtjes, që “të fillojnë procesin e identifikimit dhe publikimit” të dosjeve qeveritare mbi alienët dhe jetën jashtëtokësore, ka raportuar të premten (20.02.2026) BBC.
Presidenti Trump e ka bërë këtë deklaratë në një postim në Truth Social, pasi më herët gjatë ditës kishte akuzuar Barack Obaman për zbulim të informacionit të klasifikuar, kur ish-presidenti në një podkast javën e kaluar kishte deklaruar se “alienët janë të vërtetë”.
“Ai nuk do të duhej ta bënte këtë” – u ka deklaruar Trump gazetarëve në bordin e “Air Force One”, duke shtuar: “Bëri një gabim të madh”.
I pyetur nëse edhe ai mendon se alienët janë realë, Trump u përgjigj: “Epo, nuk e di nëse janë realë apo jo”.
Ish-presidenti amerikan, Barack Obama, në një intervistë të publikuar të shtunën e kaluar i deklaroi nikoqirit të podkastit të Brian Tyler Cohenit se mendon që alienët janë realë.
“Ata janë realë, por unë nuk i kam parë dhe nuk po mbahen në Area 51” – ka theksuar Obama. “Nuk ka asnjë strukturë nëntokësore, përveç nëse ekziston një komplot i madh dhe ata e kanë fshehur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara”.
Pasi komenti u bë kryelajm, Obama u mundua ta sqaronte se mendon se është statistikisht e mundshme që jeta të ekzistojë përtej Tokës, duke pasur parasysh përmasat e pafundme të universit.
Në një postim pasues në Instagram, Obama, i cili shërbeu si president i SHBA-së nga viti 2009 deri më 2017, sqaroi: “Gjatë presidencës sime nuk pashë asnjë provë që jashtëtokësorët kanë vënë kontakt me ne. Përnjëmend!”
Komentet fillestare të Obamës u bënë gjatë një raundi të shpejtë pyetjesh në podkast.
Nuk kishte asnjë tregues se Obama ishte mbështetur në informacion të klasifikuar kur dha intervistën. BBC-ja ka kontaktuar Obamën për koment, por nuk ka marrë përgjigje. Demokrati dhe Trump, republikan, janë prej kohësh kundërshtarë politikë të ndërsjellë.
Nga ana e tij, Trump ka deklaruar të enjten në bordin e “Air Force One” se, megjithëse shumë njerëz besojnë në ekzistencën e alienëve, ai nuk flet kurrë për këtë çështje dhe se “nuk ka një mendim për të”.
Më pas, disa orë më vonë, ai postoi në Truth Social se “bazuar në interesin e jashtëzakonshëm të shfaqur” do të kërkojë publikimin e dosjeve “që lidhen me jetën aliene dhe jashtëtokësore, fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP) dhe objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO), si dhe çdo dhe krejt informacionin tjetër të lidhur me këto çështje shumë komplekse, por jashtëzakonisht interesante dhe të rëndësishme”.
Në një raport të vitit 2024, Pentagon shkruante se nuk kishte “asnjë provë” që qeveria amerikane kishte hasur jetë alienësh dhe se shumica e shfaqjeve të UFO-ve ishin thjesht objekte të zakonshme.
Në vitin 2023, Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së, organizoi një panel mbi fenomenet anomale të paidentifikuara (UAP), të njohura më gjerësisht si UFO.
Seanca nuk prodhoi asnjë zbulim madhor, apo konfirmim të jetës jashtëtokësore.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM