Aktuale
Operacion antidrogë në BE: Kapen 85 persona në disa vende, zbulohen mbi 20 laboratorë
Tetëdhjetë e pesë persona janë arrestuar nga forcat europiane të zbatimit të ligjit, pasi dyshohet se ishin pjesë e një rrjeti që prodhonte dhe shpërndante lëndë narkotike sintetike në disa vende të Bashkimit Evropian.
Sipas një njoftimi për shtyp të Europol, gjatë operacionit morën pjesë forca të zbatimit të ligjit nga Belgjika, Republika Çeke, Gjermania, Holanda, Polonia dhe Spanja, duke çuar në shpërbërjen e këtij rrjeti të mirëorganizuar.
Operacioni përfshiu arrestimin e personave të dyshuar, zbulimin e 24 laboratorëve industrialë dhe sekuestrimin e rreth 1 mijë ton lëndësh kimike të përdorura për prodhimin e drogës sintetike, si amfetamina dhe metamfetamina, të cilat më pas shpërndaheshin në rrugë.
Europol e ka cilësuar këtë operacion si më të madhin e këtij lloji dhe një goditje të fuqishme ndaj krimit të organizuar në Evropë.
Dy nga të dyshuarit, shtetas polakë, dyshohet se kanë qenë drejtuesit e këtij rrjeti. Hetimi për rastin nisi në vitin 2024, kur Policia Polake identifikoi një rrjet që importonte sasi të mëdha lëndësh kimike të ligjshme nga Kina dhe India.
Më pas u vu re se këto lëndë ripaketoheshin, iu vendoseshin etiketa të ndryshme nga përmbajtja reale dhe rishpërndaheshin në laboratorë në disa vende të BE-së, ku prodhohej droga.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM