Aktuale
Komuna e Mitrovicës është bërë me nënkryetar të ri. Me propozim të kryetarit Faton Peci, në këtë pozitë është emëruar Enis Osmani, një figurë e njohur për angazhimin e tij politik, por edhe për përballjen me organet e drejtësisë.
Vendimi për emërimin e Osmanit është marrë në kuadër të marrëveshjeve brenda koalicionit qeverisës lokal, ku subjekti politik Guxo ka propozuar kandidatin e tij për këtë post.
Më herët, Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar sekretaren e saj, Aida Doli, për pozitën e nënkryetares së komunës, mirëpo pas konsultimeve të brendshme dhe marrëveshjeve politike, posti i është besuar Enis Osmanit.
Osmani është i njohur për organet e drejtësisë, pasi në të kaluarën ka qenë i dënuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë për veprën penale “Vjedhje e votave”.
Sipas aktgjykimit, Osmani kishte falsifikuar rezultatet në zgjedhjet e vitit 2017 në vendvotimin 1115B/02d në shkollën fillore “Xhevat Jusufi” në Mitrovicë.
Ai kishte hequr dhe shtuar vota për disa subjekte politike – gjithsej 246 vota të regjistruara gabimisht: 228 të shtuara dhe 18 të hequra.
Nga këto, ishin 56 vota për PDK-në, 112 për LDK-në dhe 60 për Vetëvendosjen, ndërsa kishte hequr 8 vota për PDK-në dhe 10 për LDK-në.
Osmani u dënua me 1 mijë e 500 euro gjobë, pasi pranoi fajësinë për veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”.
Pavarësisht së kaluarës së tij ligjore, Osmani konsiderohet si njeri i afërt me kryetarin e sapozgjedhur të Mitrovicës, Faton Peci, dhe është parë edhe në video duek festuar fitoren e tij.
Enis Osmani njihet si një nga bashkëpunëtorët më të afërt dhe besnikë të Faton Pecit, me të cilin ka një rrugëtim të gjatë politik.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM