Aktuale
Edhe pak ditë na ndajnë nga nisja e fushatës së kompanive evroTarget dhe Kikxxl & evroTarget me moton “Qëndro ku t’flen zemra”, e cila ka për qëllim kthimin e trurit dhe rinisë kosovare nga jashtë.
Kompanitë evroTarget dhe Kikxxl & evroTarget, në shënimin e 17 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vitin e kaluar filluan një fushatë me moton “Qëndro ku t’flen zemra” dhe “Një mesazh për Atdhetun”, ku në sheshin Zahir Pajaziti organizuan një koktej me të qindra të kthyer nga mërgata të cilët e kanë vendosur të kthehen, të kontribuojnë në vend dhe të punojnë në kompanitë evroTarget dhe Kikxxl & evroTarget dhe Cubylink.
Pronari I evroTarget, Hamdi Malushaj, tha për Ekolajmin se kjo fushatë ka për qëllim promovimin e vendit dhe për të treguar nëj fakt të pamohueshëm, në Kosovë jetohet, punohet dhe ka paga më të larta se në vendet evropiane, dhe për këtë, është dëshmi kthimi i qindra punëtorëve të cilët punojnë në këto kompani.
“Fushata “Qëndro ku t’flen zemra” është iniciativë e jona e cila do të duhet të praktikohet edhe nga institucionet dhe palë të tjera në Kosovë. Ka shumë lajme se po ikin rinia nga Kosova për një jetë më të mirë, por nuk po tregohet fakti se ka edhe më shumë që po kthehen nga Evropa në Kosovë, për jetë e pagë më të mirë. Këtu është atdheu jonë, është e ardhmja jonë, dhe kjo duhet të jetë synim i të gjithëve”, shtoi Malushaj.
Ai theksoi se sikur vitin e kaluar, edhe këtë vit do të mbahet një event në sheshin Zahir Pajaziti, duke shpresuar që këtë herë të bashkangjiten edhe institucionet në këtë nismë. Ai shtoi se para kësaj fushate, do lansohen edhe video të përgatitura me rrëfime të atyre të cilët janë kthyer në Kosovë.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM