Aktuale
Policia e Kosovës ka ndaluar dy shtetas të Serbisë në fshatin Pogragjë të Gjilanit, nën dyshimin për kalim të paautorizuar të kufirit dhe kontrabandë me mallra komerciale.
Sipas raportit të Policisë, gjatë patrullimit në orët e mbrëmjes së 5 tetorit (rreth orës 18:10), njësitet policore kanë ndaluar një veturë të drejtuar nga një i dyshuar shtetas i Serbisë, në të cilën ndodhej edhe një pasagjer – po ashtu shtetas serb.
Gjatë kontrollit të automjetit, policia ka zbuluar mallra komerciale të transportuara pa dokumentacion përkatës, një frigorifer, një kompresor për traktor, nëntë copë llustera dhe pajisje hidraulike.
Sipas njoftimit, mallrat janë konfiskuar dhe dërguar në terminalin doganor për procedurë të mëtejshme, ndërsa të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, pas intervistimit dhe konsultimit me prokurorin e shtetit.
Policia ka bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin do të vazhdojnë, me qëllim ndriçimin e plotë të rrethanave të kontrabandës /ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM