Shqipëria
Një përleshje fizike ka ndodhur ditë më parë në Aeroportin e Rinasit, ndërkaq lidhur me këtë Policia e Shtetit ka dhënë sqarime.
Në njoftim thuhet se më datën 06.09.2025, rreth orës 02.30, gjatë imbarkimit të pasagjerëve që udhëtonin me çarter në Antalia, disa prej tyre kanë debatuar me punonjësit e ‘check in’ për çështje radhe, pasi kërkonin të kalonin bashkërisht dhe pa radhë, për shkak të fëmijëve të vegjël që kishin.
“Nga stafi i aeroportit është kërkuar ndihma e policisë dhe pas ndërhyrjes së shërbimeve të Komisariatit të Policisë Rinas, konflikti është mbyllur.
Kryefamiljari, shtetasi A. M., dhe djemtë e tij, që po udhëtonin familjarisht (rreth 18 shtetas, familjarë bashkë me fëmijë të mitur) për pushime në Antalia, Turqi, u kanë kërkuar falje punonjësve, të cilët nuk kanë dashur të ushtrojnë të drejtën e ankimit dhe të vijonin më tej procedurat për këtë rast”, thuhet në njoftim.
Policia tutje njofton se duke parë reflektimin pozitiv të familjarëve dhe duke marrë parasysh faktin që kishin edhe fëmijë të mitur me vete, si dhe faktin që punonjësit nuk donin të bënin kallëzim, punonjësit e Policisë Kufitare të Rinasit i kanë këshilluar për moskryerje të veprimeve të tilla dhe i kanë lejuar të vijonin udhëtimin.
“Sqarojmë faktin se pretendimet se personat e përfshirë në konflikt janë familjarë të shtetasit Xh. Q., nuk janë të vërteta”, thuhet tutje. /ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM