Kosovë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot në dyvjetorin e rënies heroike të policit Afrim Bunjaku tha se dy vjet më parë familja Bunjaku humbi anëtarin e saj, por Kosova fitoi më shumë integritet territorial, sovranitet shtetëror, sundim të ligjit, paqe e siguri.
Kurti pas homazheve theksoi se të gjithë ne bashkë, jemi pjesë e familjes Bunjaku, të bashkëshortes Lumnije, të fëmijëve, Arbenitës, Jetlumit e Fatlumit, sepse Afrim Bunjaku i përket Republikës së Kosovës dhe gjithë popullit, që do ta mbajë për jetë e mot në zemrat e veta këtë hero të Kosovës.
“Dy vjet më parë, Familja Bunjaku e humbi anëtarin e dashur të familjes së saj, Kosova fitoi shumë më tepër integritet territorial, sovranitet shtetëror, sundim të ligjit, paqe e siguri. Rënia heroike e Afrim Bunjakut nuk ishte e kotë: ishte një rënie e cila e ngriti Republikën e Kosovës, shtetin tonë të pavarur së brendshmi, por edhe në reputacionin e saj ndërkombëtar, duke dëshmuar se kemi të bëjmë me një shtet, që i del zot vetvetes dhe i cili ka policë që sakrifikohen për të mbrojtur qytetarët pa dallim, duke e mirëmbajtur rendin publik dhe sundimin e ligjit”, tha ai.
Kryeministri në detyrë tutje tha se atë ditë, Afrim Bunjaku tregoi guxim sepse shkoi i pari drejt bllokadës në Banjskë të Zveçanit dhe këtë e bëri si një polic me përvojë dhe nuk lejoi që policët e tjerë, që ishin më të rinj se ai, t’ia mësyjnë bllokadës që ishte vendosur nga grupi terrorist paramilitar i Serbisë, të udhëhequr nga Radoiçiqi.
“Pra, si një polic me përvojë, të rinjtë nuk i la që të sakrifikohen, të vetmohohen, të flijohen para tij. Guximi i tij atë ditë u pasua edhe me guximin e Alban Rashitit, i cili mbeti i plagosur por sot është gjallë dhe i fortë në mesin tonë, sikurse edhe shteti i Kosovës, dhe të Mirsad Kryeziut, i cili nën breshërinë e plumbave e nxori trupin e Afrim Bunjakut nga Banjska e Zveçanit”, u shpreh Kurti.
Kryeministri i bëri thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal, përderisa ajo nuk i dorëzon kriminelët, të organizuar dhe udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe të financuar e të mbështetur nga Beogradi zyrtar dhe presidenti atje, Aleksandar Vuçiq.
“Aktakuza e ngritur në Kosovë i përfshinë 45 persona. Këta duhet t’i dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës, ka panumër fakte e argumente për përfshirjen e tyre në vrasjen Afrim Bunjakut dhe në këtë sulm agresor e terrorist të tyre ndaj shtetit tonë.
Sot, duhet të theksojmë edhe faktin tjetër, që kjo është një betejë e fituar nga Policia e Kosovës për Republikën e Kosovës dhe gjithë qytetarët pa dallim. Aty u vranë tre terroristë, tre terroristë sot janë në burgjet e Kosovës dhe ne dëshirojmë që me ndihmën e akterëve ndërkombëtarë, me ndihmën e shteteve demokratike, që edhe 45 të akuzuarit e tjerë të vihen përballë drejtësisë në Republikën e Kosovës, ku e kemi edhe EULEX-in, edhe mbikëqyrjen ndërkombëtare për shkak të pranisë së madhe saj dhe ku padyshim që do të kenë gjykim të drejtë dhe ata do të marrin dënimin meritor”, tha ai. /ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM