Aktuale
AUV njofton për ndalimin e importit të deleve dhe dhive nga Shqipëria
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar se ka ndaluar importin e deleve dhe dhive nga Shqipëria, për shkak të shpërthimit të sëmundjes së murtajës së bagëtive të imta.
“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në koordinim me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë vendos masë ndalese të pakohshme, për import të ruminantëve të vegjël Dele dhe Dhi nga gjithë territori i Shqipërisë. Pas konfirmimit të rasteve të sëmundjes PPR (Peste des Petits Ruminants) në Qarkun e Dibrës. Thërrasim për vëmendje Komunat e Kosovës të brezit kufitarë me Shqipërinë, përmes drejtorive të për Bujqësi të vendosin masa strikte kufizuese të lëvizjes se bagëtive të imta në kullosat e brezit kufitarë. Fermerët mbajtëse të deleve dhe dhive të mbajnë nën mbikëqyrje tufat e tyre, të shmangin çfarëdo kontakti me kopetë e fermerëve nga Shqipëria”, thuhet në njoftim.
AUV këshillon fermerët që të shmangin lëvizjet e panevojshme të kafshëve nga një zonë në tjetrën, të raportojnë menjëherë tek veterineri çdo shenjë të dyshimtë, të kufizojnë kontaktin e tufave me kafshë tjera sidomos në zonat kufitare, e të mos blihen kafshë nga ferma të tjera pa e ditur statusin shëndetësor të tyre.
“PPR është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek kryesisht delet dhe dhitë. Ajo përhapet përmes kontaktit të drejtpërdrejtë me kafshët e sëmura, ndërsa burim i infeksionit janë sekrecionet dhe jashtëqitjet. Shenjat klinike përfshijnë: temperaturë të lartë, rrjedhje nga hunda, inflamacion të syve, ulje të oreksit, diarre dhe në raste të rënda, ngordhje. Kjo sëmundje nuk është zoonotike, pra nuk transmetohet tek njerëzit dhe nuk paraqet rrezik për shëndetin publik”, përmbyllet njoftimi i AUV’it.

BASHKOHUNI NË DISKUTIM