Aktuale
Pretendime se janë varrosur dy vajza, rihapen hetimet për fermën e Epstein në New Mexico
Autoritetet në shtetin amerikan të New Mexico kanë rihapur hetimet për aktivitetet e financierit të ndjerë Jeffrey Epstein në pronën e tij të njohur si Zorro Ranch, pothuajse shtatë vjet pas arrestimit të tij për trafikim seksual të të miturve.
Zorro Ranch i Epstein u përmend shpesh në procedurat penale dhe civile pas vdekjes së tij në burg më 10 gusht 2019, ndërsa priste gjyqin. Një hetim i fundit ka ngritur dyshime se autoritetet federale nuk e kanë kontrolluar kurrë fizikisht këtë pronë. Publikimi i rreth tre milionë dokumenteve hetimore sipas ligjit të transparencës për dosjet Epstein ka rikthyer vëmendjen ndaj kësaj prone.
Prokurori i përgjithshëm i New Mexico-s njoftoi se shteti do të rihapë hetimin e vitit 2019, i cili ishte pezulluar me kërkesë të prokurorëve federalë. Ndërkohë, ligjvënësit e shtetit kanë krijuar edhe një “komision të së vërtetës” për të hetuar aktivitetet e kaluara në Ranch.
Ekspertët ligjorë paralajmërojnë se hetimi pas kaq shumë vitesh paraqet sfida serioze. Sipas ish-prokurorit John Day, për të marrë një urdhër kontrolli nevojiten prova të reja dhe jo informacion i vjetruar. Për më tepër, prona tashmë ka ndryshuar pronar, çka e bën edhe më të vështirë gjetjen e provave fizike.
Autoritetet pritet të fokusohen më shumë te dëshmitë njerëzore, duke kërkuar ish-punonjës, kontraktorë dhe banorë lokalë që mund të kenë pasur lidhje me pronën. Në dokumentet e reja përfshihet edhe një raport i FBI-së për një email anonim që pretendonte se dy vajza të reja ishin varrosur në Zorro Ranch, informacion që u raportua tek autoritetet në vitin 2019.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM