Aktuale
Kurti ‘godet’ Gjykatën Speciale në pikën kryesore të aktakuzës: U dëshmua se s’kishte “Shtëpi të Verdhë”, por ka fakte për “Sarajevo Safari”
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një koment të gjerë lidhur me Ditën e Pavarësisë, gjykimin e krerëve të UÇK-së në Hagë, mosekzistimin e “Shtëpisë së Verdhë” dhe hetimin e “Sarajevo Safari” nga gjykatat ndërkombëtare.
Pikërisht në ditën kur në Gjykatën Speciale po mbahet dita e fundit e procesit gjyqësor, Kurti ka theksuar se e ashtuquajtura “Shtëpi e Verdhë” në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarë të UÇK-së, por është pjesë e narrativës hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë, shkruan Gazeta Insajderi.
“E ashtuquajtura ‘Shtëpi e Verdhë’ në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarë të UÇK-së, por është pjesë e narrativës hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë”, ka thënë Kurti.
Me këtë narrativë, Gjykata Speciale është ngritur mbi bazën e raportit të Dick Martyt. Por, gjatë procesit gjyqësor është bërë plotësisht e qartë se këto pretendime nuk kanë qenë të vërteta.
Ai ka përmendur edhe “Sarajevo Safari”, për të cilën çdo ditë e më shumë po dalin fakte e informacione se si janë qëlluar civilë boshnjakë nga snajperistë, duke u përfshirë edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Për këtë, Kurti ka kërkuar që të angazhohet për hetim një gjykatë speciale ndërkombëtare.
Pjesë nga statusi i Kurtit:
“Nuk ka simbolikë më të fuqishme sesa ta lidhim Ditën e Pavarësisë me përgjegjësinë tonë për reflektimin shkencor dhe institucional mbi plagët e luftës dhe rrugën e rimëkëmbjes sonë.
Përtej një aktiviteti akademik, konferenca e dytë ndërkombëtare e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës ‘Nga lufta në rimëkëmbje’ është pjesë e procesit të gjerë shtetëror dhe shoqëror për përballje me të kaluarën, për dokumentim të së vërtetës dhe drejtësi. Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë ka forcuar ndjeshëm kapacitetet e tij dokumentuese dhe arkivore. Sepse një shtet që përballet me të kaluarën ecën më i fortë drejt së ardhmes.
Lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe e domosdoshme, për liri dhe mbijetesë, jo nga dëshira për dhunë apo pushtet. Ajo ishte përgjigje ndaj një regjimi shtypës, ndaj represionit sistematik deri në aparteid dhe mohimit të të drejtave themelore të popullit tonë deri në gjenocid. Seancat gjyqësore që po zhvillohen aktualisht në Hagë nuk mund të vënë në dyshim karakterin çlirimtar e antikolonialist të luftës sonë, as aspiratën legjitime të Kosovës për liri, barazi dhe dinjitet njerëzor.
E ashtuquajtura ‘Shtëpi e Verdhë’ në Shqipëri nuk ka ekzistuar kurrë si vend për trafikimin e organeve nga pjesëtarë të UÇK-së, por është pjesë e narrativës hibride të Serbisë kundër UÇK-së dhe Shqipërisë, e iniciuar nga deputeti rus Konstantin Kosachev më 15 prill 2008, pra as dy muaj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. ‘Shtëpi të Verdhë’ nuk ka, por ka gjithnjë e më shumë informacione, dëshmi e fakte se ka pasur ‘Sarajevo Safari’, ku rol thuhet të ketë pasur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me ç’rast, për një shumë të hollash, nga kodrat përreth Sarajevës mund të qëlloje civilë boshnjakë me snajperë në qytetin e rrethuar në fillim të viteve ’90. Për të hetuar e gjykuar krimet e ‘Sarajevo Safari’ do të duhej të angazhohej një gjykatë speciale ndërkombëtare.”

BASHKOHUNI NË DISKUTIM