Aktuale
Rusia sulmon infrastrukturën energjetike, BE: Moska dëshiron të “ngrijë Ukrainën”, para bisedimeve me SHBA-në
Bashkimi Evropian ka akuzuar Rusinë se po përpiqet qëllimisht ta “ngrijë Ukrainën” duke sulmuar infrastrukturën energjetike, me synimin për të thyer moralin e popullsisë civile, përpara zhvillimit të bisedimeve të rralla trepalëshe me Shtetet e Bashkuara.
Sipas Komisionit Evropian, sulmet e vazhdueshme ruse ndaj rrjetit energjetik ukrainas po i privojnë civilët nga ngrohja, energjia elektrike dhe shërbimet bazë, në mes të dimrit të ashpër.
Komisionerja e BE-së për Gatishmërinë dhe Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, deklaroi se këto sulme janë të qëllimshme.
“Sulmet e vazhdueshme të Rusisë ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës po i privojnë qëllimisht civilët nga ngrohja, drita dhe shërbimet bazë në mes të dimrit. Ato janë të dizajnuara për të thyer shpirtin ukrainas. Ato do të dështojnë’, tha ajo.
Në përgjigje të situatës, Komisioni Evropian njoftoi se do të dërgojë 447 gjeneratorë emergjentë nga rezervat strategjike të BE-së, të mekanizmit rescEU, të vendosura në Poloni. Gjeneratorët do të shpërndahen nga Ministria për Zhvillimin e Komuniteteve dhe Territoreve të Ukrainës, në bashkëpunim me Kryqin e Kuq Ukrainas, për komunitetet më të prekura.
“Evropa përgjigjet me veprime, jo me fjalë. Dërgesa e re e gjeneratorëve është tashmë në rrugë e sipër dhe i shtohet më shumë se 9 500 gjeneratorëve që BE-ja ka siguruar deri tani në të gjithë Ukrainën,” theksoi Lahbib.
Edhe zëdhënësja e Komisionit Evropian, Eva Hrncirova, u shpreh se BE-ja nuk do të lejojë që Rusia ta detyrojë Ukrainën të dorëzohet përmes dimrit.
“Nuk do ta lejojmë Rusinë ta ngrijë Ukrainën. Ne sjellim dritë dhe ngrohtësi aty ku Rusia dërgon errësirë.”
Ndërkohë, operatori i rrjetit energjetik të Ukrainës ka bërë të ditur se situata energjetike në vend është përkeqësuar ndjeshëm, pas sulmeve të fundit ajrore ruse. Sipas autoriteteve, disa objekte të prodhimit të energjisë po i nënshtrohen aktualisht riparimeve emergjente.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM