Kosovë
QKUK nuk i lejon kandidatët t’i rishikojnë testet pas publikimit të rezultateve të konkursit për specialistë
Sektori i personelit të QKUK-së nuk i ka lejuar të rishikojnë testet, kandidatët në konkursin për punësimin e specialistëve të shpallur nga SHSKUK.
Sektori i personelit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës i ka publikuar rezultatet e testit me shkrim të konkursit për punësimin e specialistëve të lëmive të ndryshme në klinika.
Rezultatet janë publikuar të premten më datën 16 janar.
Por që nga ajo ditë, Sektori i personelit në QKUK nuk po ua mundëson kandidatëve që t’i rishikojnë testet e tyre.
Njëri nga kandidatët me kod 779, i ka thënë Gazetës Shneta se ka bërë kërkesë më datë 19 janar për të rishikuar testin, por kjo nuk i është lejuar ende nga administrata e QKUK-së.
“Konkretisht kërkoj që të më mundësohet shikimi i testit të plotësuar nga ana ime, verifikimin e pikëzimit të dhënë dhe informimi mbi kriteret e vlerësimit dhe mënyrën e përllogaritjes së pikëve”, ka shkruar ky kandidat në kërkesën e tij.
Këtë kërkesë ai e ka bazuar në Ligjin për Procedurën e Përgjithshme dhe Administrative si dhe në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.
Në të kalurën ka qenë praktikë që kandidatët kanë mundur të rishikojnë testet e tyre në afat brenda tre ditësh pas publikimit të rezultateve.
Gazeta e ka pyetur SHSKUK-në dhe QKUK-në në lidhje më këtë çështje por të njëjtit ende nuk kanë kthyer përgjigje. /Gazeta Shneta/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM