Aktuale
Ish-ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, ka publikuar një artikull ku ka deklaruar se shëndetësia në Kosovë udhëhiqet nga korrupsioni që sipas tij është edhe pjesë e vet Ministrisë së Shëndetësisë. Ai ka thënë se njerëzit e pasur dhe politikanët shkojnë për shërim jashtë vendit. Sipas tij listat e pritjes krijohen “artificialisht” nga shumica e mjekëve për t’i çuar pacientët në privat.
Ish-ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi ka publikuar një artikull me titull “Perspektivë e një kirurgu të traumës dhe ish-ministri i Shëndetësisë në Kosovë”. Ky artikull është publikuar në revistën “The Security Magazine” e cila botohet në Dhaka, Banglladesh.
Latifi në këtë artikull flet për periudhën kur ishte ftuar për këtë pozitë në Kosovë. Ai shkruan se si shumica e mediave ishin marr me çizmet e tij prej “kauboji” sesa me planet e tij për “transformimin e shëndetësisë”.
Ai thotë se e mori pozitën në kohën e pandemisë Covid-19 kur sipas tij të gjithë pacientët e intubuar, të rinjë e të moshuar, vdisnin.
Latifi në këtë artikull thotë se çdo progres është tentuar të stopohet duke krijuar barriera burokratike, përmes grupeve punuese apo komiteteve.
“Nuk m’u desh shumë kohë të arrija në përfundimin se sektori i shëndetësisë në Kosovë drejtohej nga një udhëheqje administrative e korruptuar, dhe se vetë ky segment i Ministrisë ishte një ndërmarrje shumë komplekse: një labirint ose rrjet ngatërrimesh me rregulla, rregullore dhe politika të dizajnuara në mënyrë të pakuptueshme, ku shumë aktorë (kryesisht të padukshëm) kishin interesa të mëdha”, ka shkruar Latifi.
Ai tutje përmend shumë projekte të shëndetësisë të menaxhuara keq, spitale të lëna në gjysmë dhe nënfinancim i sektorit të shëndetësisë nga buxheti publik.
Latifi thotë se organizimi i strukturave është shumë kompleks me drejtora për çdo njësi, shumë prej tyre pa profesorë. “Nuk kishte llogaridhënie”, thotë ai.
Ish-ministri thotë se infrastruktura e spitaleve është shumë e vjetër, ndërsa afër tyre spitalet private dhe barnatoret “dilnin si këpurdhat”.
Latifi shkruan se nuk mund ta kuptoj se si 13 kirugë kryejnë vetëm 600 operacione në vit, derisa sipas tij, ai vet kishte kryer 361 operacione në vitin e parë të tij si kirurg i traumës në Arizona.
Ish-ministri pretendon se shëndetësia në Kosovë gjendet në neokolonializëm, dhe se e vërteta e tmerrshme është se njerëzit e pasur dhe politikanë shkojnë për shërim jashtë vendit.
“Shumica e njerëzve të pasur shkojnë në Gjermani, Turqi, Austri dhe Zvicër për procedura rutinë. Shumica e politikanëve shkojnë në spitale private ose jashtë vendit gjithashtu për procedura rutinë”, ka shkruar Latifi.
Ai përmend rastin e tij të apendicitit kur u operua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Sipas tij listat e pritjes krijohen “artificialisht” nga shumica e mjekëve për t’i çuar pacientët në sektorin privat.
“Këto lista pritjeje shpeshherë fryhen artificialisht dhe krijohen nga disa mjekë, në mënyrë që pacientët të detyrohen të shkojnë në institucione private për t’u trajtuar nga të njëjtët mjekë. Jo të gjithë mjekët janë kështu, por shumica janë”, ka shkruar Latifi.
Krejt në fund Latifi ka përmendur edhe shtatë shtyllat e tij për transformimin e shëndetësisë.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM