Aktuale
Gjykata e Apelit ia ka ulur dënimin Tom Dodajt, i akuzuar për shitjen e armës me të cilën dyshohet se u vra Liridona Ademaj.
Dodaj u dënua në shkurt të vitit 2025 me pesë vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë, teksa Apeli ia uli dënimin në tre vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë.
Kjo gjykatë ka vlerësuar se dënimi ishte i ashpër, marrë parasysh rrethanat lehtësuese të pranimit të fajësisë.
“Sa u përket pretendimeve ankimore të mbrojtësit të akuzuarit Tom Dodaj lidhur me vendimin mbi sanksionin penal, përkatësisht lartësinë e dënimit, kolegji i kësaj gjykate ka gjetur se dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë prej 5 (pesë) vite burgim dhe dënim më gjobë në shumë prej 5.000(pesëmijë) euro në rrethanat e çështjes rezulton të jetë dënim i ashpër, duke pasur parasysh rrethanat lehtësuese të pranimin e fajësisë në të gjitha stadet e procedurës penale, të cilës rrethanë nuk i është dhënë rëndësia e duhur me rastin e caktimit të dënimit, në ndërlidhje edhe me rrethanat e tjera si pendimin e tij, gatishmërinë për bashkëpunim, kërkim faljen familjes së dëmtuar për veprën penale të kryer, faktin se nuk kishte qenë në dijeni se për çfarë do të përdorej arma që kishte shitur. Po ashtu, kjo gjykatë gjeti se është hera e parë që i akuzuari bie ndesh me ligjin. Prandaj, rrethanat e tilla në unitetin tyre tregojnë se edhe me një dënim më të ulët, të caktuar tani si në dispozitiv mund të arrihet qëllimi ndëshkimor i paraparë me dispozitën e nenit 38 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Gjykatës
Sipas Kolegjit shqyrtues, dënimi i shqiptuar është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit dhe më intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se më të do të mund të parandalohet i akuzuari nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale.
Dodaj ia shiti armën Naim Murselit e Granit Plavës për 280 euro, dhe e cila armë dyshohet se u përdor më pas për vrasjen e Ademajt.
Aktakuza e Prokurorisë ngarkon Tom Dodajn se më 29 nëntor 2023, rreth orës 14:00, në vendin e tij të punës në Novosellë të Epërme- Komuna e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, e në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë dhe materiale plasëse, ia ka shitur një armë zjarri- pistoletë të akuzuarve Murseli dhe Plava në shumën prej 280 euro, e cila është përdorur në kryerjen e vrasjes së tani të ndjerës Liridona, vrasje e kryer në të njëjtën ditë në intervalin kohor mes orës 20:11 dhe 20:18 në Bërnicë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, Komuna e Prishtinës.
Dodaj e kishte pranuar fajësinë dhe pati kërkuar falje për rastin.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM