Aktuale
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike (KOSTT) ka njoftuar se është i detyruar të aplikojë reduktime të rrymës për shkak të mbingarkesës së rrjetit energjetik.
Sic njofton KOSTT, janë detyruar të kufizojnë ngarkesën për të ruajtur sigurinë e sistemit.
Si pasojë, disa lagje në kryeqytet për më shumë se një orë kanë mbetur pa rrymë.
Sipas njoftimit, gjatë së mërkurës, Zona e Kontrollit e KOSTT-it po operon me jo-bilanca të mëdha dhe të vazhdueshme, të cilat në orë të caktuara tejkalojnë mbi 200 megavat.
KOSTT ka bërë të ditur se, në përputhje me përgjegjësitë e tij si operator i sistemit dhe tregut, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për stabilizimin e sistemit, përfshirë aktivizimin e shërbimeve ndihmëse të balancimit dhe organizimin e ankandeve brendaditore.
Megjithatë, për shkak të dallimit të madh ndërmjet nominimeve të deklaruara dhe konsumit real, këto masa nuk kanë qenë të mjaftueshme për të eliminuar jo-bilancat e krijuara.
Sipas KOSTT-it, këto devijime po ndikojnë negativisht në rrjetin interkonektiv evropian, duke rritur rrezikun për stabilitetin e sistemit elektro-energjetik dhe duke mundësuar pasoja serioze, përfshirë masa ndëshkuese dhe rrezikimin e Marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E.
Në këto rrethana, për të garantuar funksionimin e sigurt të sistemit dhe mbrojtjen e integritetit të rrjetit, KOSTT ka theksuar se do të aplikojë kufizime të ngarkesës sipas nevojës dhe në përputhje me përgjegjësitë ligjore dhe operative.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM