Aktuale
Revolta për Arlinda Zekajn nuk ndalet, protesta vazhdon nesër në orën 16:00
Protesta e sotme në Prishtinë, e organizuar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ka përfunduar, por thirrjet për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale do të vazhdojnë edhe nesër.
Dhjetëra protestues nga mbarë Kosova marshuan në kryeqytet, duke nisur protestën para Ministrisë së Drejtësisë e më pas duke vazhduar drejt Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe objektit të Policisë së Kosovës, për të përfunduar para Qeverisë së Kosovës.
Gjatë protestës, qytetarët shprehën revoltën e tyre përmes parullave dhe thirrjeve kundër institucioneve. “Shteti i ka duart me gjak”, “Rahat s’kena me iu lon” dhe “Jepni dorëheqje” ishin disa nga mesazhet e protestuesve.
Para objekteve institucionale u hodhën mjete piroteknike, ndërsa në dyert e Qeverisë u shkrua fjalia e marrë nga letra e Arlinda Zekajt: “Tani po kuptoj pse ka kaq shumë vrasje”. Aty u vizatua edhe një sëpatë me ngjyrë të kuqe, në referencë të mënyrës së vrasjes së saj.
Protesta u mbajt në shenjë kërkese për drejtësi për Arlinda Zekajn dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse.
Protesta do të vazhdojë sërish nesër, nga ora 16:00, në Prishtinë.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM