Aktuale
Rizvanolli fton investitorët gjermanë të investojnë në sektorin e energjisë në Kosovë
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, u ka bërë thirrje bizneseve dhe investitorëve gjermanë që të shfrytëzojnë mundësitë për investime në sektorin e energjisë në Kosovë, me fokus në energjinë e ripërtëritshme, sistemet e ruajtjes së energjisë dhe ngrohjen me efiçiencë energjetike.
Rizvanolli mori pjesë në edicionin e tretë të Forumit Ekonomik Gjermano-Kosovar, i cili po mbahet në Prishtinë nën moton “Driving the Next Economy”. Forumi, i organizuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare (OEGJK), synon të promovojë potencialin ekonomik të Kosovës dhe të krijojë mundësi të reja për investime dhe bashkëpunim me tregjet evropiane.
Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi rëndësinë e forcimit të partneritetit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke vlerësuar kontributin gjerman në zhvillimin e vendit, ndërtimin e institucioneve dhe avancimin e perspektivës evropiane të Kosovës.
Ajo nënvizoi se sektori i energjisë ofron mundësi të rëndësishme për investitorët gjermanë, veçanërisht përmes ankandeve konkurruese për projekte të energjisë së ripërtëritshme dhe investimeve në kapacitetet e ruajtjes së energjisë.
Sipas Rizvanollit, bashkëpunimi mund të shtrihet përtej financimit të projekteve, duke përfshirë edhe ndërtimin, furnizimin me pajisje, si dhe operimin dhe mirëmbajtjen e kapaciteteve energjetike.
Ministrja u bëri thirrje investitorëve gjermanë që të përgatiten për ankandet e ardhshme të energjisë së ripërtëritshme, të shqyrtojnë mundësitë e partneritetit me kompanitë vendore dhe të investojnë në sistemet e ngrohjes me efiçiencë të energjisë.
Ajo theksoi se synimi është që marrëdhëniet ekonomike ndërmjet dy vendeve të konkretizohen përmes projekteve të suksesshme, të cilat do të kontribuojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Në forum po marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe Gjermanisë, biznese, investitorë dhe ekspertë, të cilët po diskutojnë për mundësitë e reja të bashkëpunimit dhe shkëmbimin e përvojave ekonomike.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM