Kosovë
Kurti takohet me ministrin irlandez, kërkon hapa konkretë drejt BE-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me ministrin e Shtetit të Irlandës për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen, Thomas Byrne, në margjinat e Samitit të Liderëve të Procesit të Berlinit, që po mbahet në Mal të Zi.
Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit e ka falënderuar Byrne për përkrahjen e vazhdueshme të Irlandës ndaj Kosovës, si dhe për kontributin në sigurinë e vendit përmes misionit të KFOR-it.
Ai ka theksuar se mbi 3,000 pjesëtarë të ushtrisë irlandeze kanë shërbyer në Kosovë që nga viti 1999, ndërsa më shumë se 1,000 refugjatë shqiptarë nga lufta e Kosovës kishin gjetur strehim në Irlandë.
Sipas Kurtit, gjatë takimit është diskutuar edhe rruga e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe nevoja që progresi demokratik i vendit të përkthehet në hapa konkretë drejt integrimit evropian.
Kryeministri ka theksuar rëndësinë e muajit nëntor, kur pritet publikimi i Raportit të Komisionit Evropian për Kosovën.
Ai ka shprehur pritjen që raporti të pasqyrojë progresin e arritur dhe që Kosova të bëjë hapa përpara përmes marrjes së pyetësorit të Komisionit Evropian.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM