Aktuale
BQK: Miratimi i ndryshimeve në ligjin kundër pastrimit të parave, hap i rëndësishëm drejt përfshirjes së Kosovës në SEPA
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka mirëpritur miratimin nga Kuvendi të ndryshimeve në Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, duke i cilësuar ato si një hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit të Kosovës në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA).
Sipas BQK-së, miratimi i ligjit përmbush një nga kushtet kryesore legjislative për avancimin e procesit të anëtarësimit, të cilin institucioni e kishte nisur me paraaplikimin në vitin 2024.
Pas hyrjes së ligjit në fuqi, BQK-ja do të hartojë rregulloret përkatëse dhe do të përfundojë përditësimin teknik të aplikimit, në koordinim me institucionet përkatëse të Bashkimit Evropian dhe duke marrë parasysh ndryshimet në legjislacionin evropian.
Pas përfundimit të këtyre procedurave, aplikimi i Kosovës do t’u dorëzohet institucioneve kompetente evropiane për shqyrtim, sipas procedurave dhe afateve përkatëse.
Ndërkohë, BQK-ja, në bashkëpunim me sektorin bankar, po vazhdon përgatitjet për zbatimin e skemave të pagesave SEPA.
Sipas vlerësimeve të BQK-së, anëtarësimi në këtë zonë do t’u mundësonte qytetarëve, bizneseve dhe diasporës të kryejnë pagesa ndërkufitare në euro më shpejt dhe me kosto më të ulët, me kursime të mundshme që vlerësohen në mbi 55 milionë euro në vit.
BQK-ja ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në përmbushjen e kërkesave të nevojshme për të avancuar procesin drejt përfshirjes së Kosovës në SEPA.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM