Aktuale
IPK-ja suspendon pesë policë: Dyshime për ngacmim seksual në Prishtinë dhe keqpërdorim të detyrës në Gjilan
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e pesë zyrtarëve policorë, tre në Prishtinë dhe dy në Gjilan, nën dyshimin për përfshirje në vepra të ndryshme penale.
Sipas IPK-së, tre zyrtarët policorë të Stacionit Policor Jugu në Prishtinë dyshohet se janë përfshirë në veprat penale “Ngacmimi seksual” dhe “Kontrollimi i kundërligjshëm”.
Rasti dyshohet të ketë ndodhur më 15 tetor 2026, pas mesnatës, në afërsi të rrethrrotullimit në lagjen Lakërishte. Sipas ankesës, gruaja ishte ndaluar dhe kontrolluar nga zyrtarët policorë, të cilët më pas i kishin kërkuar të vazhdonte drejt Çagllavicës për qëllime me karakter seksual.
Lidhur me këtë rast, me udhëzim të prokurorit, është iniciuar procedurë penale, ndërsa IPK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë hetimet në koordinim me Prokurorinë e Shtetit për të sqaruar plotësisht rrethanat.
Në rastin tjetër, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në Gjilan, nën dyshimin për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas të dhënave fillestare, më 15 tetor, rreth orës 23:00, policët dyshohet se kanë ndaluar një qytetar dhe e kanë futur në veturën zyrtare, ku pretendohet se e kanë fyer verbalisht dhe ia kanë cenuar privatësinë, përfshirë marrjen e telefonit pa urdhër të prokurorit.
Dyshimet lidhen edhe me një ankesë të mëhershme të qytetarit, të paraqitur në korrik të vitit 2026, për keqtrajtim dhe tejkalim të autorizimeve policore.
IPK-ja ka theksuar se do të vazhdojë hetimet për të siguruar llogaridhënie dhe për të mbrojtur integritetin e Policisë së Kosovës.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM