Aktuale
Lojërat Mesdhetare| Rama i drejtohet Kurtit: Kush e merr përgjegjësinë nëse e humbim këtë mundësi?
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka ngritur alarmin për rrezikun e humbjes së organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, duke e akuzuar Qeverinë Kurti për mosveprim dhe mungesë koordinimi institucional.
Rama ka thënë se më 19 dhjetor do të shqyrtohet e ardhmja e këtij organizimi, ndërsa ka kërkuar përgjigje të qarta ekzekutivi, për mosveprimet dhe marrjen e përgjegjësisë nëse Kosova e humb këtë mundësi.
Më 19 dhjetor 2026, do të shqyrtohet e ardhmja e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030. Nuk kemi kohë sot për vonesa, nuk kemi kohë për mungesë koordinimi. Nuk kemi kohë për heshtje institucionale.
Lojërat Mesdhetare nuk janë projekt i vetëm një individi, një partie apo një institucioni. Lojërat Mesdhetare janë angazhim ndërkombëtar i Republikës së Kosovës dhe një mundësi historike për zhvillimin e sportit, të infrastrukturës, ekonomisë dhe promovimit të vendit tonë.
Prandaj, sot kërkojmë përgjigje të qarta: pse nuk janë përmbushur detyrimet financiare?
E kemi letrën që është dërguar dje, që e bën këtë pyetje të saktë. Pse nuk është dërguar garancia e kërkuar?
Pse nuk janë thirrur mbledhjet e Bordit Drejtues?
E kemi letrën që vetëm kryeqyteti e ka nënshkruar, të tjerët e kanë injoruar.
Kush do të marrë përgjegjësinë nëse Kosova e humb këtë mundësi historike?” – tha Rama në konferencë.
I pari i kryeqytetit tha se komuna ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, duke kërkuar që Bordi të mblidhet për ta shqyrtuar çështjen, por ka hasur në mosveprimin e Qeverisë Kurti.
“Prishtina i ka përmbushur përgjegjësitë e saj dhe vazhdimisht ka kërkuar të mblidhet bordi, pa përgjigje. Qeveria nuk e ka kthyer asnjë email, as neve, as komunitetit ndërkombëtar.
Jemi në rrezik të humbjes së Lojërave Mesdhetare. Nuk jam këtu për t’u ankuar. Po ngre alarm publik për alarmin që e ka ngritur ICMG-ja, se për shkak të mosveprimit të Qeverisë, mund t’i humbim Lojërat Mesdhetare.”
Në fund, Rama përmendi edhe dy absurditetet, siç i quajti ai, të Albin Kurtit, karshi këtij organizimi.
Dy vjet i kemi humbur, sepse kryeministri Albin Kurti ka kërkuar që të ndryshohet emri nga Prishtina 2030 në Kosova 2030. Natyrisht, kjo kërkesë nuk është aprovuar, sepse në gjithë botën Lojërat Mesdhetare mbajnë emrin e qytetit. Absurditeti tjetër ka qenë kërkesa e tij, apo insistimi i tij, që kryeministri të jetë kryetar i Bordit Drejtues.”
BASHKOHUNI NË DISKUTIM