Bujqësi
Nga afati për mbjellje tek plehërimi, Ministria e Bujqësisë del me këshilla për fermerët lidhur me grurin
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka publikuar rekomandime për fermerët lidhur me mbjelljen e grurit dimëror, kulturë bujqësore që zë sipërfaqet më të mëdha të kultivimit në Kosovë.
Sipas ministrisë, rendimentet e ulëta të grurit në vend lidhen kryesisht me moszbatimin e praktikave të duhura bujqësore, përdorimin e farërave jocilësore dhe plehërimin e pakontrolluar.
Për rritjen e prodhimit dhe cilësisë së grurit, fermerëve u rekomandohet të përdorin teknologji moderne të kultivimit dhe të respektojnë kalendarin agronomik gjatë gjithë periudhës së vegjetacionit.
Sipas MBPZHR-së, periudha nga 5 deri më 30 tetor konsiderohet afati optimal për mbjelljen e grurit dimëror.
Ministria ka dhënë disa rekomandime kryesore që fermerët duhet t’i kenë parasysh gjatë këtij procesi.
Përgatitja e tokës
Fermerëve u rekomandohet që tokën ta përgatisin me kohë dhe në mënyrë cilësore, pasi kjo ndihmon në krijimin e kushteve të përshtatshme për mbirjen dhe zhvillimin e bimëve.
Afati i mbjelljes
Mbjellja në periudhën optimale mundëson zhvillim më të mirë të grurit, dimërim më të lehtë dhe rendimente më të larta. Nëse kushtet atmosferike janë të favorshme, mbjellja mund të realizohet edhe pas afatit të rekomanduar.
Zgjedhja e farës dhe varietetit
MBPZHR-ja këshillon përdorimin e farës së certifikuar dhe të trajtuar kundër sëmundjeve. Gjithashtu, fermerët duhet të konsultohen me këshilltarët bujqësorë për përzgjedhjen e varieteteve të përshtatshme për kushtet agroekologjike të Kosovës.
Mënyra e mbjelljes
Sipas rekomandimeve, mbjellja me makina bujqësore siguron shpërndarje më të njëtrajtshme të farës dhe thellësi të përshtatshme të mbjelljes, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e bimëve.
Plehërimi i tokës
Fermerëve u rekomandohet të kryejnë analiza të tokës për të përcaktuar nevojat për plehërim. Sasitë e plehrave duhet të përshtaten sipas përbërjes së tokës dhe nevojave të kulturës, ndërsa plehërimi duhet të bëhet në fazat përkatëse të zhvillimit të grurit.
Qarkullimi bimor
Për rendimente më të larta, rekomandohet që gruri të mbillet pas kulturave të përshtatshme, si bishtajoret, misri dhe disa perime. Ndërkaq, mbjellja e grurit për disa vite radhazi në të njëjtën parcelë nuk rekomandohet.
Ministria u bën thirrje fermerëve që gjatë gjithë periudhës së kultivimit të kujdesen për kontrollin e barojave të këqija, si dhe të monitorojnë parcelat për shfaqjen e sëmundjeve dhe dëmtuesve, me qëllim të sigurimit të prodhimit më cilësor dhe rendimenteve më të larta.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM