Aktuale
UNIONI I BIZNESEVE SHQIPTARO-GJERMANE MBLEDH QINDRA BIZNESE, MINISTRA DHE AMBASADORË NË TAKIMIN E MADH EKONOMIK NË GJERMANI
Më 2 tetor, Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane organizon në Kehl një takim të rëndësishëm ekonomik, ku pritet të marrin pjesë qindra biznese, përfaqësues institucionalë dhe diplomatikë nga Kosova, Gjermania, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe shtete tjera evropiane. Në program parashihen edhe prezantime të anëtarëve Premium PLUS të Unionit.
Qindra biznese shqiptare dhe gjermane, përfaqësues të institucioneve shtetërore, ministra dhe ambasadorë pritet të mblidhen më 2 tetor në Kehl të Gjermanisë, në një takim të organizuar nga Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane.
Në këtë ngjarje do të marrë pjesë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit e Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, drejtori i GIZ-it për Kosovë, Markus Delfs, si dhe ambasadorë e përfaqësues institucionalë nga Gjermania, Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria por jo vetëm.
Ky aktivitet synon të krijojë mundësi të reja për bashkëpunim ekonomik, zgjerimin e rrjeteve të biznesit dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet kompanive shqiptare dhe tregut gjerman. Një pjesë e programit do t’u kushtohet edhe prezantimeve të anëtarëve Premium PLUS të Unionit, të cilët do të kenë mundësi të prezantojnë aktivitetet, shërbimet dhe potencialin e tyre për bashkëpunim.
Kryetari i Bordit të Unionit, Zenun Krasniqi, në një deklaratë për Ekolajmi, pohon se takimi është një mundësi për t’i kthyer dhe krijuar kontaktet të reja ndërmjet bizneseve në bashkëpunime konkrete.

“Ky takim është një mundësi e rëndësishme për të bashkuar bizneset tona, për të krijuar partneritete të reja dhe për të hapur dyer drejt tregut gjerman. Synimi ynë është që bashkëpunimi të mos mbetet vetëm në nivel të takimeve, por të konkretizohet në investime, projekte dhe vende të reja pune”, theksoi Krasniqi.
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane ka intensifikuar organizimin e takimeve dhe aktiviteteve në Kosovë, Gjermani dhe vende të tjera, me synimin për të krijuar partneritete të reja, për të sjellë investime në Kosovë dhe për të forcuar rolin e tij si urë lidhëse ndërmjet bizneseve shqiptare dhe atyre ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e bizneseve dhe përfaqësuesve institucionalë pritet të krijojë hapësirë për diskutime mbi sfidat e ndërmarrësve, mundësitë e investimeve dhe rolin e diasporës në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet vendeve.

Kehl, Gjermani
Në këtë organizim do të ketë gjithashtu program artistik dhe darkë rrjetizimi, që do të ofrojnë mundësi për biseda biznesi, shkëmbim përvojash dhe krijimin e partneriteteve të reja. /ekolajmi/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM