Aktuale
Inspektorati ndalon punimet në gjashtë objekte ndërtimi në Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë
Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në gjashtë objekte ndërtimi në Prishtinë, Pejë dhe Mitrovicë, pas konstatimit të parregullsive që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, gjatë inspektimeve janë kontrolluar gjashtë objekte ndërtimi, prej të cilave tri në komunën e Prishtinës, dy në komunën e Mitrovicës dhe një në komunën e Pejës.
Gjatë kontrolleve, inspektorët kanë evidentuar mangësi në marrjen e masave të nevojshme për garantimin e sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve në vendin e punës.
Si pasojë e parregullsive të konstatuara, Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendime për ndalimin e përkohshëm të punimeve në këto objekte.
Sipas Inspektoratit, punimet mund të vazhdojnë vetëm pas eliminimit të mangësive të evidentuara dhe krijimit të kushteve të sigurta për zhvillimin e punës.
Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje punëdhënësve që të respektojnë legjislacionin në fuqi dhe standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në vendin e punës.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM