Aktuale
Ministria e Mjedisit hap thirrjen: 200 mijë euro subvencione për riciklim dhe ekonomi qarkore
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka hapur thirrje për start-upet dhe ndërmarrjet e vogla që kanë projekte në fushën e riciklimit dhe ekonomisë qarkore.
Në kuadër të kësaj skeme janë ndarë gjithsej 200 mijë euro, ndërsa një aplikant mund të përfitojë nga 5 mijë deri në 20 mijë euro për një projekt.
Mbështetja synon bizneset që propozojnë zgjidhje për reduktimin dhe riciklimin e mbeturinave, ripërdorimin e materialeve, si dhe zhvillimin e produkteve dhe teknologjive të reja që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit.
Kush mund të aplikojë?
Në këtë thirrje mund të aplikojnë start-upet e regjistruara në Kosovë dhe ndërmarrjet e vogla, me kusht që projektet e tyre të lidhen me riciklimin ose ekonominë qarkore.
Aplikantët duhet të jenë të regjistruar si subjekte juridike në Kosovë, të mos jenë në falimentim apo likuidim dhe të kenë përmbushur detyrimet tatimore dhe ligjore.
Bizneset duhet të paraqesin një ide konkrete, problemin që synojnë ta zgjidhin, mënyrën e zbatimit të projektit dhe rezultatet që pritet të arrihen.
Çfarë mund të financohet?
Me fondet e kësaj skeme mund të financohen, ndër të tjera:
- pajisje dhe makineri për ndarjen dhe riciklimin e mbeturinave;
- pajisje për kompostim dhe përpunimin e mbeturinave organike;
- zhvillimi dhe testimi i prototipeve;
- teknologji dhe procese të reja për riciklim;
- produkte të reja të prodhuara nga materiale të ricikluara ose të ripërdorura;
- programe dhe zgjidhje digjitale që lidhen drejtpërdrejt me projektin;
- analiza laboratorike, testime, certifikime dhe standardizime të nevojshme.
Projektet do të vlerësohen, ndër të tjera, bazuar në ndikimin që kanë në reduktimin e mbeturinave, mundësinë e zbatimit, nivelin e inovacionit dhe qëndrueshmërinë e biznesit.
Ndikimi në reduktimin e mbeturinave përbën kriterin me peshën më të madhe, me 30 pikë nga 100, ndërsa realizueshmëria teknike dhe plani i zbatimit vlerësohen me 25 pikë.
Për t’u përzgjedhur për financim, projekti duhet të marrë së paku 70 pikë.
Aplikimet duhet të dorëzohen fizikisht në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa kërkohet edhe një kopje elektronike.
Afati i fundit për aplikim është 23 tetor 2026.
Aplikantët duhet të dorëzojnë formularin e aplikimit dhe të buxhetit, dokumentet e regjistrimit të biznesit, dëshmitë për përmbushjen e detyrimeve tatimore dhe ligjore, si dhe dokumentet e tjera mbështetëse të kërkuara në thirrje.
Pyetjet lidhur me thirrjen mund të dërgohen deri më 16 tetor 2026, sipas udhëzimeve të ministrisë.
Për më shumë detaje rreth kushteve dhe dokumentacionit të nevojshëm, aplikantët mund ta vizitojnë faqen zyrtare të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Për më shumë detaje, vizitoni linkun në vijim: https://mmphi.rks-gov.net/Document/Announcements?type=1&fbclid=IwY2xjawUghRRwZG9mBWV4dG4DYWVtAjEwAGJyaWQRMUVuQlBRa2RsNEpTalNIV2hzcnRjBmFwcF9pZBAyMjIwMzk
BASHKOHUNI NË DISKUTIM