Aktuale
Protesta e veteranëve për ish-krerët e UÇK-së, policia me plan operativ
Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet operacionale për protestën e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila pritet të mbahet sot në orën 12:00 në sheshet e Prishtinës.
PK-ja ka njoftuar se qëllimi i angazhimit policor është ruajtja e rendit dhe qetësisë publike, si dhe garantimi i sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit dhe qytetarët.
Sipas Policisë, e drejta për protestë të qetë dhe demokratike njihet dhe mbrohet në kuadër të Ligjit për Tubimet Publike.
Zyrtarët kompetentë të PK-së kanë zhvilluar takim me përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ku është diskutuar për organizimin dhe koordinimin e masave të sigurisë gjatë protestës.
“Me qëllim të garantimit të rendit e sigurisë publike, mbrojtjes së jetës dhe pronës si dhe ofrimit të sigurisë ndaj qytetarëve e pjesëmarrësve në protestë, Policia e Kosovës iu bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në çdo protestë që të respektojnë dispozitat ligjore dhe udhëzimet e zyrtarëve policorë, të tregojnë kujdes e maturi gjatë protestimit, të mos hedhin gjësende e mjete të forta, të mos përdorin maska dhe të kontribuojnë që protesta të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të sigurt.
Për shkak të zhvillimit të protestës dhe lëvizjes së pjesëmarrësve, mund të ketë kufizime ose ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut në disa rrugë që të shpien drejt shesheve të kryeqytetit, andaj janë paraparë edhe angazhime të njësive policore patrulluese të trafikut, në rast të nevojës për riorientim të trafikut në rrugët alternative.Policia e Kosovës falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar në vazhdimësi. Zyrtarët policorë do të jenë të pranishëm në terren për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktivitetit janë prioritet i Policisë së Kosovës”, thotë policia në njoftim.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM