Aktuale
Mali i Zi ndalon mishin e skaduar nga Brazili për në Kosovë, kërkon bllokimin e importit
Dogana në Malin e Zi ka parandaluar transitin drejt Kosovës të tre kontejnerëve me mish të ngrirë viçi me origjinë nga Brazili, pasi gjatë kontrollit është konstatuar se afati i përdorimit të produktit ka skaduar.
Sipas njoftimit të Qeverisë së këtij vendi, autoritetet dyshojnë se etiketat origjinale ishin hequr dhe zëvendësuar me të falsifikuara, të cilat tregonin një afat të ri përdorimi.
Rasti është zbuluar në kuadër të kontrolleve të intensifikuara të mallrave në Njësinë Doganore të Portit të Barit, ku autoritetet malazeze kanë ndaluar vazhdimin e transitit të tre kontejnerëve me mish të ngrirë viçi, të destinuar për tregun e Kosovës.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Doganave, kontejnerët ishin të destinuar për një blerës nga Kosova, të identifikuar në njoftim me inicialet A….ShpK.
Autoritetet kanë konstatuar se kontejnerët janë marrë nën mbikëqyrjen doganore.
Gjatë kontrollit të mëtejshëm në një frigorifer në Portin e Barit, doganierët kanë konstatuar se punëtorë të angazhuar nga një kompani nga Kosova dyshohet se kishin hequr etiketat origjinale të vendosura mbi produktet.
Autoritetet malazeze kanë bërë të ditur gjithashtu se po hetohet nëse produktet e kompanisë nga Kosova mund të kenë arritur te subjekte të tjera afariste në Mal të Zi.
Sipas të dhënave që kanë në dispozicion autoritetet, një numër i subjekteve afariste në Mal të Zi që merren me përpunimin e mishit furnizohen me produkte nga personi juridik nga Kosova, i përmendur në njoftim.
Për këtë arsye, institucionet kanë nisur verifikime për të përcaktuar të gjitha faktet relevante dhe përmasat eventuale të shpërndarjes së mallit. /Koha.net/
BASHKOHUNI NË DISKUTIM