Aktuale
Ministrja Kusari-Lila me përfaqësues të Young Global Leaders: Kosova e hapur për investime dhe partneritete nga e gjithë bota
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka zhvilluar një takim me përfaqësues të rrjetit Young Global Leaders në Qendrën Inovative të Kosovës (ICK), ku është diskutuar potenciali ekonomik i Kosovës dhe mundësitë për lidhjen e ekonomisë vendore me tregjet globale.
Gjatë takimit u theksuan fuqia punëtore e re dhe e kualifikuar, rritja e sektorit privat, roli i diasporës si dhe zhvillimi i ekosistemit të teknologjisë, inovacionit dhe ndërmarrësisë.
Kusari-Lila tha se sfida kryesore mbetet shndërrimi i këtij potenciali në investime të reja, vende pune cilësore dhe produkte e shërbime me vlerë të shtuar.
Sipas saj, Kosova duhet të konkurrojë jo vetëm përmes kostos së punës, por mbi të gjitha përmes talentit, teknologjisë, produktivitetit dhe inovacionit.
Në takim u diskutuan edhe sfidat që ndikojnë në vendimet e investitorëve, përfshirë perceptimet lidhur me sigurinë dhe besueshmërinë. Në këtë drejtim, u vlerësua si e rëndësishme që partnerëve ndërkombëtarë t’u prezantohen jo vetëm potencialet e Kosovës, por edhe hapat konkretë për krijimin e një mjedisi më të favorshëm për biznes dhe investime.
Ministrja Kusari-Lila përcolli mesazhin se Kosova është e hapur për investime dhe partneritete nga e gjithë bota, duke theksuar se edhe shtetet që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës janë të mirëpritura të investojnë dhe të krijojnë partneritete në vend.
Young Global Leaders, rrjet i lidhur me Forumin Ekonomik Botëror, bashkon liderë të rinj nga politika, biznesi, teknologjia, akademia dhe fusha të tjera. Rrjeti përfshin mbi 1,400 liderë nga më shumë se 120 vende.
Për Kosovën, bashkëpunimi me një rrjet të tillë shihet si mundësi për shkëmbim të ideve, krijimin e partneriteteve të reja dhe tërheqjen e investimeve.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit tha se mbetet e fokusuar në krijimin e mundësive që potenciali i Kosovës të shndërrohet në rezultate konkrete, me ekonominë digjitale si një prej shtyllave të zhvillimit ekonomik.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM