Aktuale
BQK përfshihet në mekanizmin EUREP të BQE-së
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) është përfshirë në mekanizmin e avancuar EUREP të Eurosistemit për transaksionet REPO me bankat qendrore, të themeluar nga Banka Qendrore Evropiane (BQE).
Sipas BQK-së, ky zhvillim forcon më tej sigurinë dhe qëndrueshmërinë e sistemit financiar të Kosovës, duke mundësuar qasje në likuiditet në euro kundrejt kolateralit të pranueshëm.
BQK-ja aktualisht ka qasje në një linjë REPO deri në 100 milionë euro, e vlefshme deri më 31 janar 2027, ndërsa përfshirja në EUREP paraqet kalimin drejt një kornize të përhershme për sigurimin e likuiditetit mbështetës në euro.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, e ka cilësuar këtë zhvillim si të rëndësishëm për forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit financiar dhe për avancimin e bashkëpunimit me bankat qendrore evropiane dhe Eurosistemin.
Shuma e disponueshme do të përcaktohet në bazë të nevojave, kërkesave të zbatueshme dhe kolateralit të pranueshëm, brenda limitit të përcaktuar nga BQE.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM