Aktuale
Haxhiu thirrje deputetëve: Të përmbushet me sukses edhe procesi i zgjedhjes së Presidentit
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka uruar kryeministrin dhe kabinetin e ri qeveritar pas votimit të Qeverisë në Kuvend.
Përmes një postimi, Haxhiu ka theksuar se institucionet i presin shumë punë të përbashkëta, përfshirë reformat, zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit të ligjit dhe avancimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
Ajo ka thënë se Kuvendi do ta kryejë pjesën e tij përmes agjendës legjislative dhe mbikëqyrjes së punës së ekzekutivit, ndërsa ka vlerësuar se me votimet e sotme, Kosova tashmë i ka Kuvendin dhe Qeverinë.
Sipas Haxhiut, mbetet edhe një hap i rëndësishëm për kompletimin e institucioneve – zgjedhja e Presidentit të Republikës.
Ajo u ka bërë thirrje deputetëve që ta ushtrojnë përgjegjësinë e tyre kushtetuese dhe që procesi i zgjedhjes së Presidentit të përmbyllet me sukses.
“Kosova ka nevojë për institucione të forta, funksionale dhe stabile dhe jo për pritje dhe vonesa të reja”, ka shkruar Haxhiu.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM