Aktuale
PDK e konsideron Kuvendin të pakonstituuar dhe Qeverinë jokushtetuese: Do t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese
Partia Demokratike e Kosovës e konsideron Kuvendin e Republikës së Kosovës të pakonstituuar dhe Qeverinë e votuar sot jokushtetuese.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, dhe deputeti Përparim Gruda, në një konferencë për media, kanë bërë të ditur se PDK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për shkeljet që, sipas tyre, janë bërë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Tahiri tha se Kurti ka shpërfillur Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa paralajmëroi se çdo vendim i dalë nga ky Kuvend do të dërgohet për shqyrtim në Kushtetuese.
Ndërsa Gruda tha se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve, duke theksuar se nënkryetari nga radhët e PDK-së nuk është zgjedhur.
Sipas Grudës, PDK-ja nuk ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar nënkryetarin, por vetëm e ka pezulluar përkohësisht ushtrimin e kësaj të drejte, derisa Gjykata Kushtetuese të sqarojë situatën.
Ai theksoi se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar më 7 gusht, ndërsa afati politik i vendosur nga LVV-ja, 6 shtatori, gjithashtu nuk është respektuar.
PDK-ja argumenton se ky interpretim krijon një precedent të rrezikshëm kushtetues, pasi pala që ka shkelur afatet do të përfitonte juridikisht nga këto shkelje dhe një subjekti tjetër parlamentar do t’i mohohej një e drejtë kushtetuese.
Screenshot
BASHKOHUNI NË DISKUTIM