Aktuale
Në fundjavë nisin garat evropiane për skuadrat kosovare
Fundjava sjell edhe ndeshjet e para të skuadrave kosovare të hendbollit në garat evropiane për edicionin e ri.
Të shtunën në ‘tapetet’ evropiane do të paraqiten Besa Famgas dhe Vëllaznimi, të cilat do të zhvillojnë ndeshjet e para në kuadër të EHF European Cup.
Besa Famgas do ta nisë aventurën evropiane në shtëpi, ku të shtunën nga ora 19:00, në palestrën “Karagaçi” në Pejë, do të përballet me skuadrën greke Ionikos. Ndeshja e kthimit do të zhvillohet më 19 shtator në Athinë.
Ndërkohë, Vëllaznimi ka vendosur që të dyja ndeshjet ndaj skuadrës estoneze Tallinna Mistra t’i zhvillojë në Estoni.
Gjakovarët do të përballen me Tallinna Mistran të shtunën nga ora 13:00 në Tallinn, ndërsa ndeshja e dytë do të zhvillohet menjëherë të dielën, po nga ora 13:00.
Kampioni në fuqi i Kosovës, Kastrioti, do ta nisë garimin në EHF European Cup nga raundi i dytë.
Në garat evropiane do të jenë aktive edhe skuadrat kosovare në konkurrencën e femrave, ku këtë edicion do të marrin pjesë katër ekipe.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM