Aktuale
Avokati i Popullit del me një kërkesë për KGJK-në
Avokati i Popullit ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) që ta rishqyrtojë sistemin e taksave gjyqësore, duke vlerësuar se rritja e tyre mund të krijojë barriera financiare dhe të cenojë qasjen efektive në drejtësi.
Avokati i Popullit ka shqyrtuar ndikimin e Udhëzimit Administrativ Nr. 03/2025 për Unifikimin e Taksave Gjyqësore në realizimin e së drejtës për qasje në drejtësi.
Sipas opinionit, edhe pse KGJK-ja ka kompetencë për miratimin e skemës unike të taksave gjyqësore, ushtrimi i kësaj kompetence duhet të jetë në përputhje me garancitë kushtetuese për qasje efektive në drejtësi dhe me parimin e proporcionalitetit.
“Taksat gjyqësore të përcaktuara me UA nr.03/2025 derdhen në buxhetin e Republikës së Kosovës dhe jo drejtpërdrejt në buxhetin e sistemit gjyqësor, gjë që dobëson lidhjen ndërmjet rritjes së taksave dhe përmirësimit të funksionimit të gjyqësorit. Për këtë arsye, nevoja dhe proporcionaliteti i rritjes së taksave duhet të arsyetohen në mënyrë të veçantë dhe të bazohen në vlerësime konkrete të ndikimit të tyre në qasjen efektive në drejtësi”, ka vlerësuar Avokati i Popullit.
“Avokati i Popullit vlerëson se edhe pse Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) ka kompetencë për të miratuar skemën unike të taksave gjyqësore, ushtrimi i kësaj kompetence duhet të jetë në harmoni me garancitë kushtetuese për qasje efektive në drejtësi dhe me parimin e proporcionalitetit të përcaktuar në nenin 3 të po këtij ligji. Kjo nënkupton se taksat gjyqësore, ndonëse mund të justifikohen nga nevoja për administrim dhe funksionim efikas të gjyqësorit, nuk duhet të vendosen në atë mënyrë që të krijojnë pengesa disproporcionale për inicimin e procedurave gjyqësore apo për ushtrimin e mjeteve juridike.
Avokati i Popullit thekson se taksat gjyqësore të përcaktuara me UA nr.03/2025 derdhen në Buxhetin e Republikës së Kosovës dhe jo drejtpërdrejt në buxhetin e sistemit gjyqësor, gjë që dobëson lidhjen ndërmjet rritjes së taksave dhe përmirësimit të funksionimit të gjyqësorit. Për këtë arsye, nevoja dhe proporcionaliteti i rritjes së taksave duhet të arsyetohen në mënyrë të veçantë dhe të bazohen në vlerësime konkrete të ndikimit të tyre në qasjen efektive në drejtësi.
Në këtë drejtim, rritja e konsiderueshme e taksave gjyqësore, pagesat shtesë për ushtrimin e mjeteve juridike dhe pasojat procedurale të mospagesës së tyre mund të krijojnë barriera financiare disproporcionale, të cilat dekurajojnë inicimin dhe zhvillimin e procedurave gjyqësore, veçanërisht për qytetarët që nuk përfitojnë nga mekanizmat e përjashtimit ose nga ndihma juridike falas.
Në dritën e standardeve të vendosura nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ekziston rrezik real që, në formën aktuale, dispozitat e UA nr.03/2025 të prodhojnë efekte disproporcionale në raport me të drejtën për qasje në drejtësi.
Për këtë arsye, Avokati i Popullit konsideron se Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet ta rishqyrtojë sistemin e taksave gjyqësore, me qëllim të sigurimit të një balancë të drejtë ndërmjet interesit publik për funksionimin efikas të sistemit gjyqësor dhe garantimit të qasjes efektive dhe të barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët”.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM