Aktuale
Kurti dhe Rizvanolli vizitojnë familjet përfituese nga investimet në efiçiencën e energjisë
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kanë vizituar familje në Prishtinë dhe Mitrovicën e Jugut, të cilat kanë përfituar nga investimet në masat për efiçiencën e energjisë.
Vizitat u zhvilluan në kuadër të projektit “E Ardhmja e Energjisë së Gjelbër”, të financuar nga Qeveria e Danimarkës dhe të zbatuar nga UNDP-ja, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
Gjatë vizitës në familjen Dragidella në Prishtinë, Kurti theksoi se investimet në termoizolimin e fasadës dhe çatisë do të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e konsumit dhe shpenzimeve për energji.
Sipas Kurtit, familja Dragidella, e cila më parë konsumonte mbi 85 megavat-orë energji në vit, pritet të ulë shpenzimet për energji për rreth 74 për qind, ndërsa kushtet e banimit do të përmirësohen gjatë të gjitha stinëve.
“Pesë anëtarët e familjes Dragidella do të kenë kushte më të dinjitetshme për jetë”, tha Kurti, duke nënvizuar rëndësinë e investimeve në efiçiencën e energjisë.
Ndërkaq, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se programi është pjesë e tranzicionit të drejtë energjetik dhe se synimi është që përfitimet nga efiçienca e energjisë të arrijnë te familjet që kanë më së shumti nevojë.
“Këtë radhë jemi fokusuar te familjet më të cenueshme, ku të gjitha familjet përfituese janë familje që janë në skemën e asistencës sociale”, deklaroi Rizvanolli.
Në familjen Tatareviq në Mitrovicën e Jugut janë realizuar gjithashtu ndërhyrje në efiçiencën e energjisë, përfshirë termoizolimin e mureve të jashtme dhe pllakës nën kulm, si dhe ndërrimin e dritareve dhe dyerve. Këto masa pritet të ulin konsumin vjetor të energjisë së familjes me rreth 55 për qind.
Projekti ka një vlerë të përgjithshme që pritet të arrijë në 3 milionë euro. Deri tani janë përfunduar investimet në 51 shtëpi të familjeve të cenueshme, ndërsa deri në fund të vitit synohet mbështetja e gjithsej 192 familjeve. Deri në vitin 2028, numri i familjeve përfituese pritet të arrijë në 280 në të gjithë Kosovën.
Programi synon të ulë konsumin dhe faturat e energjisë, të përmirësojë kushtet e banimit dhe të sigurojë që përfitimet e tranzicionit energjetik të jenë të prekshme për familjet më të cenueshme.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM