Aktuale
Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut intensifikon kontrollet pranë shkollave, shqiptohen 3 gjoba për shitjen e cigareve elektronike te të miturit
Me fillimin e vitit të ri shkollor, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka intensifikuar kontrollet për parandalimin e shitjes së cigareve elektronike te të miturit, veçanërisht në bizneset pranë shkollave.
Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar 18 inspektime në Prishtinë, Prizren, Fushë Kosovë, Rahovec, Istog, Shtime dhe Podujevë.
Inspektorët kanë urdhëruar largimin e menjëhershëm të cigareve elektronike nga shitja në dyqanet pranë institucioneve arsimore. Për shkelje të dispozitave ligjore janë shqiptuar 3 gjoba, ndërsa janë realizuar edhe 2 sekuestrime.
IQMT ka bërë të ditur se aksionet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim në të gjitha rajonet e Kosovës.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit u ka bërë thirrje qytetarëve dhe veçanërisht prindërve që të raportojnë rastet e shitjes së cigareve elektronike te të miturit.
Raportimet mund të bëhen përmes Viber-it në numrin: +383 46 311 000.

BASHKOHUNI NË DISKUTIM