Bujqësi
Alarmon Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës: Qumështi vendor po zëvendësohet nga importi
Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (SHIQK) ka ngritur shqetësimin për gjendjen e sektorit vendor të qumështit, duke paralajmëruar se rritja e importeve dhe konkurrenca e çmimeve po krijojnë vështirësi për fermerët dhe përpunuesit kosovarë.
Në një reagim publik, SHIQK thekson se industria vendore e qumështit është zhvilluar ndër vite falë investimeve private, mbështetjes përmes subvencioneve dhe punës së mijëra fermerëve e përpunuesve.
Sipas shoqatës, në kohën kur sektori vendor kishte rritur kapacitetet dhe ishte bërë më konkurrues ndaj produkteve të importuara, ai po përballet me sfida të reja që po ndikojnë në prodhuesit vendas.
Shqetësimi, sipas SHIQK-së, po vërehet edhe në treg. Produktet vendore po humbin hapësirë në raftet e marketeve, ndërsa ato të importuara po zënë gjithnjë e më shumë vend.
Veçanërisht problematike konsiderohet diferenca në çmime. SHIQK thekson se një litër qumësht i importuar mund të shitet në pakicë për 0.49 euro, ndërsa prodhuesit vendorë përballen me kostot e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit të freskët.
“Po bëhet më lirë ta blesh qumështin e gatshëm në supermarket sesa ta grumbullosh nga fermeri vendor”, paralajmëron shoqata.
Sipas SHIQK-së, kjo situatë nuk është vetëm çështje e konkurrencës në treg, por prek drejtpërdrejt fermerët, industrinë përpunuese, vendet e punës dhe sigurinë ushqimore të Kosovës.
Shoqata paralajmëron se nëse trendi i rritjes së importeve vazhdon, pasojat mund të jenë afatgjata dhe të rrezikojnë qëndrueshmërinë e fermave dhe investimeve në industrinë vendore të qumështit.
BASHKOHUNI NË DISKUTIM